Eksperti i sigurisë dhe drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu, duke reaguar lidhur me protestën e dhunshme të serbëve në tri komunat veriore të Kosovës, ka thënë se njëri nga njerëzit më të dhunshëm ishte Danijel Smigiq, shoferi i njërit nga liderët e Listës Serbe, Igor Simiq.
Në një video që ka qarkulluar gjatë dy ditëve të fundit Smigiq shihet duke goditur pjesëtarët e KFOR-it me shkop policor gjatë protestës së hënës në Zveçan.
“Shikoni videon se si Lista Serbe organizoi dhunën në protestën e djeshme, ku u lënduan mbi 25 ushtarë të NATO-s”, ka shkruar Musliu në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Ai më tej thotë se “Danijel Smigic, shofer i Igor Simicit (lider i L.Serbe) ishte një nga njerëzit më të dhunshëm!”
Musliu ka thënë të hënën se në mesin e protestuesve janë disa të maskuar, të cilët mund të jenë të gatshëm për akte terroriste.
“Struktura ilegale dhe kriminale – njerëz të maskuar në protestat në veri. Instituti OCTOPUS shpreh shqetësimin se, në mesin e protestuesve mund të ketë edhe njerëz që janë të gatshëm për akte terroriste! Bashkëpunëtorët e Institutit OCTOPUS, kanë thënë se, protestuesit në terren janë duke u udhëhequr nga ish-policët e dorëhequr serbë të Policisë së Kosovës dhe anëtarë të strukturës kriminale (Mbrojtja Civile)”, thotë Musliu në postimin e tij në Facebook.
Tutje Musliu kishte thënë ka shtuar se përgjegjës për pjesën e ish-policëve është Aleksandar Filipoviq, ndërsa përgjegjës për pjesën e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” është Milun Milenkoviq “Lune”.