Ngrënia e djathit Jarlsberg mund të ndihmojë në parandalimin e hollimit të kockave dhe parandalimin e osteoporozës, sugjeron një hulumtim i vogël.
Jarlsberg është një djathë i butë i bërë nga qumështi i lopës, me vrima dhe klasifikohet si djathë i tipit zviceran, megjithëse e ka origjinën nga Norvegjia. Ky djathë është i pasur me vitaminë K2, e cila përmirëson shëndetin e kockave.
Rezultatet e një studimi të botuar në revistën BMJ Nutrition Prevention & Health sugjerojnë se konsumimi ditor mund të jetë i dobishëm për rritjen dhe rigjenerimin e kockave.
Pjesëmarrësve në studim iu dha për konsum Jarlsberg ose Cammbert, ky i fundit është i varfër me vitaminë K2. Shenjat e rritjes së kockave u rritën me konsumimin e Jarlsberg dhe ranë pak në grupin Camembert, thanë autorët.
Megjithatë, ekspertët kanë ngritur dyshime në lidhje me të dhënat. Studimi përfshiu vetëm 66 gra të shëndetshme, para menopauzës; dietat e tyre nuk u monitoruan gjatë studimit, që do të thotë se ndikimet e tjera të mundshme dietike nuk mund të llogariteshin; dhe u financua pjesërisht nga prodhuesi i Jarlsberg, Tine.
“Efektet e raportuara nuk kanë gjasa të jenë specifike për djathin Jarlsberg dhe mund të jenë të ngjashme në djathëra të tjerë të fortë dhe të fermentuar gjatë,” tha Tom Sanders, një profesor i dietologjisë në King’s College në Londër.
Ekspertët thonë se shëndeti i kockave varet nga konsumimi i kalciumit dhe vitaminës D, si dhe vitaminës K, e cila gjendet gjithashtu te perimet me ngjyrë jeshile të errët si lakra jeshile.