Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot do të presë në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Kryeziu ka njoftuar se Lajçak është duke qëndruar në Kosovë.
“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë. Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare”,deklaroi ai.
Ndryshe kjo vizitë e Lajçak nuk është lajmëruar më parë, edhe pse i njëjti bashkë me dy emisarë të tjerë atë të Gjermanisë dhe Francës për dialogun Kosovë-Serbi, qëndruan ditë më parë në Kosovë dhe në Serbi.
Kryeministri Kurti pak më parë është larguar nga salla e Kuvendit të Kosovës, derisa po debatohej për grevën. E për këtë largim pati edhe kritika nga deputetët e opozitës. Lidhur me këtë, Kryeziu tha se kjo ishte arsyeja se ai nuk qëndroi më gjatë në Kuvend.
“Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend. Sot ishte vetëm seanca e parë e sesionit të ri të Kuvendit. Gatishmëria për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë”,shtoi Kryeziu.