Numri i të vdekurve nga dy valët e shpërthimeve të pajisjeve të komunikimit në Liban është rritur në 37, ndërsa mijëra janë plagosur, tha sot ministri i Shëndetësisë Firas Al-Abiad, raporton Anadolu.
Mijëra pajisje “pager” shpërthyen në kryeqytetin Bejrut dhe disa zona anembanë Libanit të martën, duke vrarë 12 persona, përfshirë dy fëmijë, dhe duke plagosur 2.323 të tjerë. Një valë e dytë e shpërthimeve të pajisjeve të radio-komunikimit të mërkurën vrau 25 persona dhe plagosi 608 të tjerë.
“Shpërthimet treguan unitetin e popullit libanez në të gjitha fushat përballë incidentit”, tha Al-Abiad në një konferencë shtypi në Bejrut.
Ai tha se qindra mjekë dhe infermierë nxituan për të ofruar ndihmë për viktimat e shpërthimeve, duke shtuar se 287 persona të lënduar mbeten në njësitë e kujdesit intensiv.
Ministri i shëndetësisë tha se disa vende arabe gjithashtu kanë ofruar ndihmë mjekësore për Libanin pas shpërthimeve.
Grupi libanez Hezbollah akuzoi Izraelin se qëndron pas shpërthimeve të pajisjeve dhe u zotua për hakmarrje.
Nuk ka pasur asnjë koment nga Izraeli mbi shpërthimet, të cilat erdhën në mes të përshkallëzimit të luftës ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi sulmeve vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës, të cilat kanë vrarë rreth 41.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.