Lista Serbe u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë, për t’i dërguar “mesazh të qartë” kryeministrit kosovar Albin Kurti.
Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë do të zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “shtypjen shumëvjeçare të serbëve” në Kosovë.
“Të nderuar qytetarë, duke pasur parasysh represionin shumëvjeçar të regjimit të Albin Kurtit ndaj popullit tonë në ‘Kosovë dhe Metohi’, me qëllim të spastrimit etnik të gjithçka që është serbe nga këto treva, dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh të qartë Albin Kurtit dhe ata që e mbështesin atë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e rrejshëm të ardhshëm në organizatën e tij, me të cilën ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve”, tha Lista Serbe në Facebook.