Një deklaratë e kryeministrit Kurti se janë të gatshëm për shpërndarjen e Kuvendit nëse opozita dëshiron zgjedhje të jashtëzakonshme ka ngjallur shpresat tek partitë opozitare se në vend do të ketë zgjedhje.
Por, pavarësisht kësaj, shefja e deputetëve të VV-së Mimoza Kusari, tha se momentalisht asnjë deputet i pushtetit nuk voton ndonjë mocion apo nismë për shpërndarjen e Kuvendit, dhe për këtë ka dhënë edhe arsyet.
“Momentalisht Lëvizja Vetëvendosje nuk jep votat asnjërës nga partitë opozitare, përderisa nuk kanë një qëndrim të përbashkët e para dhe e dyta përderisa nuk arrijnë një epilog të suksesshëm të proceseve të cilat kanë fillua dhe kemi përgjegjësi t’i përmbyllim me sukses”, tha Kusari për rtv21.
AAK-ja e cila ka kohë që po kërkon mbështetjen e mocionit dhe një rezolute për shkrimin e Qeverisë i quan tallje qëndrimet e shefes së grupit parlamentar të VV-së dhe të kryeministrit Kurti.
’Mund të them se është një tallje e llojit t ‘vetë e Qeverisë Kurti e VV-së. Kurti ka ardhë si mashtrues dhe po shkon si mashtrues”.
PDK-ja vazhdon prapa idesë se nënshkrimet e deputetëve të saj janë në dispozicion për shpërndarjen e Kuvendit për ta quar vendin në zgjedhje të parakohshme. Por, qëndrimi i fundit i VV-së se nuk ofrojnë vota për këtë i ka ulur shpresat.
‘’PDK-ja edhe ma herët ka qenë e gatshme dhe ka kërkuar që kjo Qeveri të shkoj në shtëpi”, tha Hajdar Beqaj nga PDK-ja.
Po ashtu edhe LDK-ja është shprehur e gatshme për zgjedhje, por me një kusht.
‘’LDK-ja e gatshme për zgjedhje. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje kurëdo që kryeministri jep dorëheqje”, tha Valentina Bunjaku nga LDK-ja.
Por, edhe pse partitë opozitare deklarohen se dëshirojnë zgjedhje të parakohshme përmes shkarkimit të Qeverisë, ato nuk janë unike në qëndrimet e tyre. Fakti kryesor për këtë është se PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë mbështetur mocionin e AAK-së për shkarkimin e Qeverisë.
‘’Cdo subjekt politik ka qëndrimet e veta. Nëse subjektet politike e kritikojnë Qeverinë atëhere duhet të japin nënshkrimet edhe për shkarkimin e Qeverisë”, tha Pal Lekaj nga AAK
‘’Ne i kemi votat e mjaftueshme si opozitë në Kuvend, por edhe mi pas votat nuk e kemi interesin me e rrëzu këtë kryeministër mbi 50% e kanë votuar qytetarët për me krye punë”, tha Valentina Bunjaku nga LDK-ja.
‘’Në momentet të cila jemi është mirë që zoti Kurti të jap dorëheqje në një seancë të jashtëzakonshme. Kryeministri Kurti është dorëzuar”, tha Hajdar Beqaj nga PDK-ja
Por, cilat janë proceduar ligjore për shpërndarjen e Kuvendit?
‘’Shpërndarja e Kuvendit në bazë të Kushtetutës përcaktohet si procedurë e cila iniciohet përmes një seance të jashtëzakonshme që nënshkruhet nga 40 deputetë. Ndërsa, për shpërndarjen e Kuvendit duhet të mbështetet nga 80 deputetë”, tha Arbër Thaçi nga KDI-ja.
Aktualisht Lëvizja Vetvendosje ka 56 deputetë në Kuvend, ndërkohë që opozita e përbërë nga PDK, LDK dhe AAK ka 42 deputetë, pa përfshirjen e deputetëve pa grup parlamentar dhe deputetët e pakicës serbe dhe jo serbe.