Në samitin e Bashkimit Evropian, presidenti francez Emmanuel Macron ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë duke e cilësuar si progres të rëndësishëm.
Macron ka thënë se Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë të marrin pjesë aktive në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti francez, siç transmeton “B92”, tha se është thelbësore që të dy palët të tregojnë përgjegjësi dhe të zbatojnë atë që është rënë dakord në Ohër.
“Përshëndes marrëveshjen që u arrit më 18 mars me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrellit. Tani është thelbësore që të dy palët të tregojnë përgjegjësi, duke zbatuar menjëherë marrëveshjen në tërësinë e saj dhe në mirëbesim”, tha Macron, në fund të një samiti dy-ditor të liderëve të BE-së në Bruksel, transmeton Telegrafi.
Presidenti francez vlerësoi se Parisi dhe Berlini bashkëpunuan shumë ngushtë në lidhje me marrëveshjen dhe njoftoi se “do të vazhdojnë të jenë aktivë në këtë drejtim”.
Në fund të ditës së parë të samitit në Bruksel, liderët e vendeve të BE-së miratuan konkluzione në të cilat ata mirëpresin marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve “si pjesë integrale e rrugës së tyre drejt BE-së”.