Disa shkolla fillore dhe të mesme në Podgoricë të Malit të Zi janë evakuuar sot për shkak të alarmit për bomba të vendosura, transmeton Anadolu Agency (AA).
Alarmet për bomba u dërguan përmes postës elektronike. Denoncimi për bombë të vendosur kishte mbërritur në shkollën e mesme profesionale “Spasoje Raspopoviç”, gjimnazin “Slobodan Shkeroviç”, shkollat fillore “Savo Pejanoviç”, “Milorad Musa Burzan”, “Maksim Gorki”, “21 Maji”, “Sutjeska”, “Branko Bozoviç”, “Shtampar Makarije”, “Vuk Karaxhiç”, “Oktoih” dhe “Pavle Rovinski”.
Drejtoria e shkollës ka njoftuar nxënësit dhe prindërit se sot nuk do të ketë mësim.
Ministria e Arsimit, menjëherë pas marrjes së informacionit për bombat e vendosura, thirri të gjitha shkollat fillore dhe të mesme dhe rekomandoi që nxënësit dhe punonjësit të largohen nga ambientet e shkollës dhe të informojnë Drejtorinë e Policisë për të gjitha aktivitetet.
“Duke patur parasysh se edhe në periudhën e mëparshme kemi patur rastin të merremi me denoncime të këtij lloji, të cilat fatmirësisht kanë qenë të rreme, ministria apelon për sjellje të qetë dhe të përmbajtur të të gjithë qytetarëve si në rastet e mëparshme. Në përputhje me rekomandimet e Drejtorisë së Policisë, publiku do të informohet me kohë për mbajtjen e mësimit në turin e dytë”, njofton Ministria e Arsimit e Malit të Zi.