Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, tha se me vizitën e tij të sotme në Serbi, hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe, transmeton Anadolu.
Milatoviq, në kuadër të vizitës së tij në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, u prit me një ceremoni zyrtare nga homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq. Të dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të tyre kokë më kokë.
Duke u shprehur se ka ardhur në Beograd pas vizitës së tij në Bruksel, presidenti malazez Milatoviq tha se “ardhja Vuçiqit në ceremoninë e betimit në maj dhe ardhja ime këtu brenda një kohe të shkurtër janë të rëndësishme për ringjalljen e marrëdhënieve”.
Duke thënë se Serbia është një partner i rëndësishëm tregtar për Malin e Zi, Milatoviq nënvizoi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) është një synim i përbashkët për të dyja vendet.
“Ne duhet të zhvillojmë më tej marrëdhëniet në vend që t’i prishim ato. Me këtë vizitë do të hapet një faqe e re në marrëdhëniet tona”, tha presidenti Milatoviq.
“Kemi vendosur të forcojmë bashkëpunimin tonë”
Ndërkaq, presidenti serb Vuçiq tha se me homologun e tij malazez kanë biseduar për shumë çështje të rëndësishme, si ndërtimi i autostradave dhe hekurudhave dhe bashkëpunimi energjetik.
“Kemi vendosur të forcojmë bashkëpunimin dypalësh. Edhe njerëzit tanë duhet t’i ndjejnë marrëdhëniet tona të mira reciproke”, shtoi ai.
“Ne kemi lidhje tradicionale me Malin e Zi, jo vetëm në fushën ekonomike, e cila shprehet në numra. Shumë serbë jetojnë në Mal të Zi dhe shumë malazezë jetojnë në Serbi”, tha Vuçiq.
Vuçiq pohoi se “disa segmente” në Mal të Zi po përpiqen të ngjallin frikë kundër Serbisë, duke thënë: “Serbia do të përfshihet vetëm në çështjet që dëshiron Mali i Zi. Ne po flasim në mënyrë të civilizuar për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët”.
Në kuadër të vizitës së tij në Beograd, Milatoviq pritet të vizitojë shkollën fillore “Vladislav Ribnikarë, ku në maj ndodhi një sulm i armatosur dhe humbën jetën nëntë fëmijë dhe një roje.
Ndërkaq, më herët, disa mediume vendase e kanë përshkruar Milatoviqin si proserb. Ai fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në Mal të Zi më 2 prill dhe që prej majit është presidenti i ri i vendit.