RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Maqedoni e Veriut, mbahet Akademi solemne me rastin e 114-vjetorit të Kongresit të Manastirit

maqedoni-e-veriut,-mbahet-akademi-solemne-me-rastin-e-114-vjetorit-te-kongresit-te-manastirit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nën kujdesin e zv/kryeministrit të parë të Qeverisë, Artan Grubi, organizoi Akademi solemne me rastin e 114-vjetorit të Kongresit të Manastirit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në manifestimin qendror për Ditën e Alfabetit Shqip të pranishëm ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryetari Kuvendit, Talat Xhaferi, diplomatë, anëtarë të qeverisë, pushtetit lokal dhe liderë të tjerë politik.

Manifestimin, me urimet dhe fjalimin e tij, e hapi zv/kryeministri Grubi.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke rikujtuar se gjuha shqipe nuk është gjuhë e tij amtare, në fjalën e tij u zotua se do të përpiqet që gjuha amtare e askujt të mos jetë e rrezikuar në Maqedoninë e Veriut.

“Gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi me të cilin do të kuptojmë njëri-tjetrin. Është pjesë e identitetit tonë dhe kodit tonë gjenetik. Akti i respektimit dhe nderimit të gjuhëve tregon një mënyrë evropiane, të qytetëruar dhe të avancuar të funksionimit në botë. Gjuha shqipe nuk është gjuha ime amtare, por gjuha shqipe është gjuha ime vëllazërore”, tha Kovaçevski.

Kryeparlamentari Xhaferi në fjalën e tij u shpreh se Alfabeti i njësuar shqip ishte mbështetje e fortë e identitetit kombëtar dhe e pavarësimit politik të popullit shqiptar.

“Gjuha është aq e pasur, aq e vlefshme, sa flitet, shkruhet, pasurohet dhe përhapet në botë dhe këtë do e bëjmë vetëm nëse vazhdojmë me bërjen e reformave për respektimin sa më të përpiktë të vlerave të pranuara universale, standardeve të cilat janë normë e natyrshme në familjen evropiane ku të gjithë ne synojmë të bëhemi së shpejti pjesë”, tha Xhaferi.

Fjalim mbajti edhe kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili shprehi urimet e tij me rastin e 114-vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Manifestimi u përmbyll me shfaqjen e këngës së re të artistit Ilir Shaqiri kushtuar Ditës së Alfabetit Shqip.

Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, janë paraparë disa organizime në Maqedoninë e Veriut, ndërsa kjo ditë është ditë jopune për anëtarët e bashkësisë etnike shqiptare.

Kongresi i Manastirit shënon takimin e dhjetëra studiuesve shqiptarë, i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me qëllim krijimin e alfabetit shqip. Në këtë Kongres, delegatët morën vendimin për të pranuar alfabetin latin, me disa ndryshime të caktuara. 22 Nëntori mbetet një ditë përkujtimi për popullin shqiptar, e njohur si Dita e Alfabetit.

Related posts

Kanadaja me ndryshime interesante për të inkurajuar lënien e duhanit

rezart morina

Rusia përgjegjëse për sulmin në portin e Ukrainës, një ditë pas marrëveshjes për grurin

admin

Gjermani, një në gjashtë vetë rrezikohen nga varfëria

admin