RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Maqedoni e Veriut, mbahet protestë para ambasadës serbe në Shkup

maqedoni-e-veriut,-mbahet-proteste-para-ambasades-serbe-ne-shkup

Shoqata e të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, e përkrahur nga disa parti politike, ka organizuar protestë para Ambasadës së Serbisë në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra protestues, të cilët mbanin flamuj kombëtar shqiptar, flamuj të Kosovës, Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s, si dhe pankarta me mbishkrime “Stop politikave luftënxitëse”, “Serbi e krimit”, “Mos ma prek Mitrovicën”, u tubuan për të shprehur mbështetje për institucionet e Kosovës dhe për të protestuar kundër vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.

Shpëtim Pollozhani, njëri nga organizatorët e protestës, tha se “e kemi detyrim moral dhe kombëtar” ta shprehim revoltën për gjendjen “e fabrikuar” në veri të Kosovës, duke rikujtuar se presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë ministër i Informacionit në vitet 1998-2000.

“Deklaratat e njëpasnjëshme se Serbia do t’i mbrojë serbët në çdo cep të Kosovës, mi kujton deklaratat e Millosheviqit, i cili thoshte se serbëve në Kosovë nuk do t’u mungojë as një qime floku”, tha Pollozhani.

Protestuesit u shprehën se nuk protestojnë kundër popullit serb, por kundër udhëheqjes së shtetit serb.

Pollozhani gjithashtu krahasoi presidentin Vuçiq me presidentin rus, Vladimir Putin.

“A nuk jemi vallë dëshmitarë të një lufte të përgjakshme të neokolonializmit në Ukrainë, ku Rusia dëshiron ta grabisë atdheun e ukrainasve. A nuk i përdori vallë mentori i Vuçiqit, Putin, klerin të cilët e bekojnë çdo mjet ushtarak të cilët nisen në luftë, bashkë me rusët ukrainas si ‘mish për top’, në luftën që është duke u zhvilluar atje. Edhe kjo kopja e shëmtuar e Putinit është duke shtuar hapave të tij. Edhe ky serbët e Kosovës i përdor si vegël për të qëndruar në pushtet”, tha Pollozhani.

Ai gjithashtu i bëri thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të veprojnë në ruajtje të sovranitetit dhe lëvizjes së lirë, në bashkëpunim me autoritetet kosovare.

Protesta përfundoi e qetë dhe pa incidente, ndërsa u shoqërua nga forcat policore të cilat kishin bllokuar rrugën para ambasadës serbe në Shkup.

– Situata në Kosovë

Nga 10 dhjetori në disa rrugë në veri të Kosovës janë vendosur barrikada nga serbët lokalë, ku është bllokuar lëvizja e lirë si reagim pas arrestimit nga autoritetet policore kosovare të ish-policit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiq.

Ish-policit Pantiq së fundmi iu ndryshua masa nga ajo e paraburgimit në arrest shtëpiak nga autoritetet e drejtësisë në vend. Mbrëmë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, njoftoi se presidenti Vuçiq u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të tërheqin barrikadat e vendosura në veri të vendit.

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është liruar për qarkullim pika kufitare “Merdare”, e cila mbeti e bllokuar pas barrikadave të vendosura në anën serbe të kufirit, ndërsa pritet po ashtu të largohen edhe barrikadat tjera të vendosura në territorin e Kosovës.

Related posts

Deponohen 516 euro false në bankë

rezart morina

Britanikët të zhgënjyer me BREXIT, dy të tretat e tyre duan referendum për anëtarësimin në BE

admin

10 mijë trupa rrethojnë qytetin në El Salvador në përpjekje për të goditur bandat

admin