Në Finlandë u mbajt takimi i parë i mekanizmit të përbashkët të përhershëm midis Turqisë, Finlandës dhe Suedisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Më 28 qershor, palët nënshkruan memorandum trepalësh në samitin e NATO-s në Madrid për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë, duke i hapur rrugën anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO.
Delegacioni turk kryesohej nga zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, dhe zv/ministri i Jashtëm, Sedat Önal, ndërsa pjesë e delegacionit ishin edhe përfaqësues të ministrive të Jashtme, të Brendshme dhe të Drejtësisë, si dhe të shërbimeve të inteligjencës dhe institucioneve të sigurisë.
Delegacioni i Suedisë kryesohej nga Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Oscar Stenstrom, ndërsa delegacioni i Finlandës nga Sekretarja e Përhershme e Shtetit për Ministrinë e Jashtme, Jukka Salovaara.
Në takim u përcaktuan parimet e punës së mekanizmit, u shqyrtuan zhvillimet në lidhje me zbatimin e zotimeve të marra në memorandumin trepalësh dhe u theksuan hapat konkretë që do të ndërmerren në periudhën e ardhshme.
Finlanda dhe Suedia përsëritën se do të tregojnë solidaritet dhe bashkëpunim të plotë me Turqinë në luftën kundër grupeve terroriste, veçanërisht PKK, PYD/YPG dhe FETO, dhe se nuk do të mbështesin grupet që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Turqisë.
Ata ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit në nivel teknik ndërmjet institucioneve përkatëse për të arritur progres konkret në këto çështje.
Turqia, anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, e bëri të qartë se do të kundërshtojë anëtarësimin e vendeve nordike në NATO nëse nuk përmbushen shqetësimet e saj të sigurisë.