RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Mbi 4 mijë e 400 persona hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës në vitin 2022

mbi-4-mije-e-400-persona-hoqen-dore-nga-shtetesia-e-kosoves-ne-vitin-2022

Obligim, dëshirë apo “trend”, çfarëdo qoftë, e sido që ta quajmë, për 2 vitet e fundit nga shtetësia e Republikës së Kosovës kanë hequr dorë 9 mijë e 361 persona.

Siç kanë bërë të ditur për lajmi.net nga ministria e Punëve të Brendshme, veç brenda 11 muajve të 2022-tës, nga shtetësia e Kosovës janë liruar gjithësej 4 mijë e 423 persona.

“Në vitin 2021, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 4,938 persona. Gjatë periudhës 01.01.2022-30.11.2022, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 4,423 persona.”, bënë të ditur ministria e Punëve të Brendshme për lajmi.net.

Kur është në pyetje nënshtetësia e Kosovës apo e shteteve të Bashkimit Evropian, kosovarët duket se me përzemër e kanë atë të BE-së.

Kjo pasi që, sipas kësaj ministrie, arsyet më të shpeshta të heqjes dorë nga nënshtetësia e RKS-së është pikërisht marrja e asaj të shteteve të BE-së.

“Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dyshtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian”, njofton MPB-ja.

Kjo ministri për lajmi.net ka treguar se kosovarët janë të obliguar ta bëjnë një gjë të tillë.

Kjo sepse një numër i madh i tyre kanë lindur dhe janë rritur në ato shtete.

“Duke pas parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashmë me vite në këto shtete e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e Fitimi të Shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi.”, vazhdon tutje ministria.

Nga departamenti për shtetësi, azil dhe migracion në MPB janë shprehur se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ka pasur një trend të njëjtë të personave që kanë hequr dorë nga shtetësia.

Ndërsa, sa i përket moshës, sipas tyre gjeneratat e reja janë ato që kryesisht kërkojnë të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.

Megjithatë, çdonjëri ka të drejt për të hequr dorë nga shtetësia e një vendi dhe nuk mund të ndalohet dikush i cili dëshiron të heqë dorë nga shtetësia.

Related posts

Atentati ndaj Donald Trump, autoritetet nisin hetimet ndaj Shërbimit Sekret

admin

Qytetarët në Gjermani janë të rrezikuar nga varfëria në pleqëri, pensioni nuk mjafton! Gracka e vetëpunësimit

admin

Shumë gjermanë kërkojnë ndihmë nga organizatat bamirëse si pasojë e krizës energjetike

admin