Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në një konferencë për medie bashkë me zëvendëskryeprokuroren Elza Bajrami-Kastrati kanë bërë të ditur se është mbyllur përfundimisht grupi “Albkings” dhe deri tani janë arrestuar shtatë të dyshuar.
Gashi tha se kanë arritur që brenda një afati të shkurtër kohor do t’i identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarit.
“Ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe t’i arrestojë të gjithë kryerësit e veprës penale të ‘Vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve’, nga Neni 277 i Kodit Penal të Kosovës. Andaj, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët e Republikës së Kosovës kemi arritur që këtë rast delikat sa i përket identifikimit të kryerësve të veprës penale, kemi arritur t’i arrestojmë brenda një afati të shkurtër kohor dhe ky rast si i tillë, target i së cilës kanë qenë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke cenuar rëndë integritetin moral të tyre sa i përket shpërndarjes së fotove, videoincizimeve intime të cilat kanë krijuar pasiguri te qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Gashi.
Ai tha se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar ende dhe se ka gjasa që do të zgjerohen hetimet ende ndaj personave që do të akuzohen.
“Sot i kemi diku 7 persona, të cilët i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të vazhdimit edhe të zgjerimit të hetimit edhe për personat e tjerë”, tha Gashi.
Kurse, zëvendëskryeprokurorja Elza Bajrami-Kastrati, e cila njëherësh si prokurore ka trajtuar këtë çështje penale, tha se pas publikimit të të dhënave në fillim të këtij viti lidhur me këtë rast Prokuroria autorizoi Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore.
“Në kuadër të hetimeve, kemi lëshuar masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, si dhe kemi ndërmarrë disa veprime tjera hetimore, me ç’rast këto kanë rezultuar me identifikimin e personit të parë të dyshuar dhe arrestimin e tij. Më datë 16 prill është lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit E.N., njëri prej administratorëve të këtij grupi”, tha ajo.
Bajrami-Kastrati tha se ai gjendet nën masën e paraburgimit nën dyshimin për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje.
Ajo tha se më 23 prill është ndaluar i dyshuari i dytë, E.S., që si administrator i këtij grupi dyshohet për veprën e njëjtë sikurse i dyshuari i parë.
Prokurorja tha se edhe E.S. gjendet në paraburgim.
“Më 23 maj 2024, pas veprimeve të vazhdueshme intensive drejt identifikimit të personave që kanë kryer këtë vepër penale, Prokuroria ka arritur të lëshojë aktvendim për ndalimin e personit të tretë të dyshuar në këtë rast F.P., gjegjësisht administrator kryesor i grupit ‘Albkings’, i cili me dy të pandehurit e lartcekur dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur”, tha Bajrami-Kastrati.
E njëjta shtoi se edhe F.P. gjendet nën masën e paraburgimit, ndërsa theksoi se grupi është mbyllur, por që nga mbyllja e parë ai grup është rihapur edhe dy herë.
Zëvendëskryeprokurorja bëri të ditur se grupi “Albkings” është mbyllur përfundimisht.
“Kemi arritur t’i identifikojmë dhe arrestojmë 7 persona të dyshuar që janë të përfshirë në këtë rast penal. Por, gjithashtu ju sigurojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke vazhduar ta hetojë këtë rast edhe në disa pista të tjera të hetimit”, tha ajo.
Bajrami-Gashi u ka bërë thirrje të dëmtuarve të bashkëpunojnë me Prokurorinë dhe Policinë. /BetimipërDrejtësi
The post Mbyllet grupi “Albkings”, shtatë të arrestuar deri tash first appeared on Radio Televizioni Iliria.