Bashkimi Evropian e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës.
Përmes një deklarate, BE deklaroi se një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve.
“Bashkimi Evropian e konsideron mbylljen e sotme të nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar, i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet e arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut. Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës. BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut. BE pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.
Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti. I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, thuhet në deklaratën e BE.
The post Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në veri/ BE: Vendim i njëanshëm dhe i pakoordinuar first appeared on Radio Televizioni Iliria.