RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Me Turqinë ndajmë pikëpamje dhe shqetësime të përbashkëta për sigurinë dhe kërcënimet tjera rajonale”

“me-turqine-ndajme-pikepamje-dhe-shqetesime-te-perbashketa-per-sigurine-dhe-kercenimet-tjera-rajonale”

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u prit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, raporton Anadolu.

Ministrat Fidan dhe Mucunski fillimisht zhvilluan një takim tet-a-tete, e më pas u zhvillua një takim dypalësh, ku përveç ministrave morën pjesë edhe delegacione të dy ministrive.

Në konferencën e përbashkët për media, ministri Mucunski theksoi se Turqia është mike e dëshmuar dhe aleate e Maqedonisë së Veriut në kuadër të NATO-s.

Ai falënderoi Turqinë, që ishte një nga vendet e para që tregoi solidaritet në ballafaqimin me zjarret që shpërthyen në pyjet e Maqedonisë së Veriut.

Mucunski u shpreh se kjo është vizita e parë zyrtare e një ministri të Jashtëm të huaj pasi ai morri detyrën, duke shtuar se është i lumtur që bëhet fjalë pikërisht për ministrin turk Hakan Fidan.

“Ky është një konfirmim i fuqishëm i dialogut politik gjithnjë e më intensiv midis dy vendeve, besimit të ndërsjellë në rritje, partneritetit dhe miqësisë që ne bashkërisht ndërtojmë dhe ushqejmë. Sot patëm bisedime konstruktive në të cilat bashkërisht diskutuam mundësitë për avancimin e marrëdhënieve në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për thellimin e tij”, tha Mucunski.

Ai theksoi se që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, investimet turke janë shumë të mëdha, por shtoi se bashkëpunimi ekonomik deri më tani nuk ka arritur nivelin e dëshiruar nga të dy vendet.

Përveç marrëdhënieve ekonomike, Mucunski theksoi se me homologun e tij turk ka biseduar edhe për çështje të sigurisë, çështje rajonale dhe çështje të tjera.

“Me Türkiyen, partnerin dhe aleatin tonë në NATO, ndajmë pikëpamje dhe shqetësime të përbashkëta për sigurinë dhe kërcënimet e tjera rajonale, si dhe interes të përbashkët për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Evropës Juglindore. E njoftova kolegun tim me situatën aktuale në rajon, parë nga perspektiva jonë, e cila është tërësisht e fokusuar në procesin e reformave të BE-së dhe integrimin më të shpejtë në Bashkimin Evropian”, tha Mucunski, i cili gjithashtu shtoi:

“Ne diskutuam dhe shkëmbyem mendime për situatën aktuale në lidhje me agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, si dhe situatën e fundit në Lindjen e Mesme, duke ndarë shqetësimet dhe pritshmëritë tona për zbutjen dhe përfundimin e të gjitha veprimtarive ushtarake dhe ndalimin e vuajtjeve të popullatës civile në vendet e prekura”.

Në fund, kryediplomati maqedonas theksoi se që nga pavarësia e saj, Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në Turqinë si mike dhe mbështetëse e dëshmuar dhe e përkushtuar në realizimin e përcaktimeve dhe qëllimeve më të larta strategjike.

Related posts

Lufta në Palestinë: Këtu janë disa nga zhvillimet më të fundit

admin

OBSH: Më shumë se 300 vdekje nga kolera janë raportuar në Sudan

admin

Çavuşoğlu: Suedia po rrezikon ‘qëllimisht’ anëtarësimin e saj në NATO duke lejuar provokimet terroriste

admin