Jahja ibën Muadh ka thënë: “Kush i kënaq gjymtyrët në gjynahe, veçse i ka mbjellë vetes pemën e keqardhjeve.”
Abdusamed Ez-Zahid thotë: “Kush nuk e kupton që pasionet, janë kurth ai është i mashtruar.”
Njohja e dëmit, dhembjeve dhe pasojave që i japin mëkatet është pengesë e fortë për njeriun që mos të bjerë në mëkat. Atij i mjafton që të meditojë për ndodhitë e të tjerëve dhe ajo që i ka goditur popujt e mëhershëm nga fatkeqësitë dhe dëmet për shkak të mëkateve.
Kush i nxori prindërit tanë (Ademin dhe Havën) prej vendbanimit të kënaqësisë dhe lumturisë në vendbanimin e dhembjeve dhe mërzisë? Ishte mëkati! Kush e nxori Iblisin nga mbretëria e qiellit, u dëbua, u mallkua, u shndërrua pamja e tij, e jashtëm dhe e brendshme, në pamje të shëmtuar, afërsinë e ndërroi me largësi, mëshirën me mallkim, Xhenetin me zjarrin flakërues, u poshtërua para Allahut, u shndërrua në mëkatar kriminel që e çon njerëzimin për në çdo krim dhe sherr. Ishte mëkati? Kush ishte shkak që të gjithë banorët e Tokës të përmbyteshin në ujë, derisa niveli i ujit arriti deri mbi majet e maleve? Kush ishte shkak që populli i Adit të dënohej me erën shkatërruese derisa mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura? Kush ishte shkak që populli i Themudit të dënohej me një ulërimë të tmerrshme derisa u copëtuan zemrat në gjokset e tyre? Kush ishte shkak që qyteti i Sedumit, qyteti i Lutit, alejhi selam, në tërësi të ngrihet lart në qiell, derisa melekët në qiell i dëgjuan të lehurat e qenve të qytetit, e pastaj të përmbysej çdo gjë, saqë, ato që ishin lart, Allahu i ktheu poshtë dhe mbi ta lëshoi gurë nga balta e pjekur duke rënë vazhdimisht, si shiu, kështu nuk mbeti në të jetë dhe njeri i gjallë. Kush ishte shkak që popullin e Shuajbit ta godiste dënimi i Ditës së Errësirës, kur retë erdhën mbi kokat e tyre, në vend të shiut, filloi të binte zjarr flakërues dhe t’i digjte ata? Kush ishte shkak që Faraoni dhe populli i tij të përmbyteshin në det, e shpirtrat e tyre të dënohen në zjarr, ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit)? Pra, trupat u dënuan me përmbytje, shpirtrat me zjarr, e takimi me Allahun do të jetë në Ditën e Kiametit, ku do ta marrin edhe dënimin e madh dhe përgjithmonë!
Andaj, meditimi në dhembjet dhe fatkeqësitë që i sjellin mëkatet, çon në devotshmëri. Në bërjen e mëkatit mund të ndihet një lloj kënaqësie, por e përkohshme, ndërsa pasojat e mëkatit janë të mëdha dhe të vazhdueshme, nëse njeriu nuk pendohet.
Dr. Muhamed el-Munexhid
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri “Frenat”, është i përkthyer në gjuhën shqipe).