RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Meloni: Shqipëria është një vend mik i Italisë dhe Bashkimit Evropian

meloni:-shqiperia-eshte-nje-vend-mik-i-italise-dhe-bashkimit-evropian

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka realizuar një vizitë pune në Shqipëri, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes mes dy vendeve mbi emigracionin e paligjshëm dhe përgatitjeve për qendrat e menaxhimit të emigrantëve në Qarkun e Lezhës, raporton Anadolu.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me kryeministren italiane Meloni, fillimisht kanë inspektuar strukturën e kampit ku do të strehohen emigrantët. Rama dhe Meloni kanë inspektuar edhe qendrën pritëse për emigrantët, ku edhe kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat në Lezhë, duke u fokusuar në marrëveshjen për emigracionin, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështje të tjera.

– Rama: Jam krenar për Shqipërinë që mund t’i shërbejë Italisë

Duke iu referuar marrëveshjes Shqipëri-Itali për emigracionin, Rama theksoi se në një çast kaq të vështirë, jo vetëm për Italinë, por për të gjithë Evropën, janë shumë krenarë që mund të japin ndihmën e tyre.

“Unë mund të them që jam krenar për Shqipërinë që mund t’i shërbejë Italisë. Italia ka qenë e dobishme dhe i ka shërbyer Shqipërisë shumë herë. Ne, nëse kemi mundësinë për të qenë të dobishëm për Italinë, për t’i shërbyer asaj, një herë, dy-tre, atëherë, ta bëjmë këtë me zemër dhe me bindjen që deti mes Italisë dhe Shqipërisë nuk është një hapësirë e cila na ndan, por është një hapësirë që na bashkon dhe kjo prej mijëra vitesh”, u shpreh Rama.

Rama tha se Italia ka qenë gjithmonë avokati më i rëndësishëm i Shqipërisë në Bruksel.

“Duhet të falënderoj Giorgian, kryeministren e një vendi me të cilin jemi të lidhur në mënyrë të pandashme, të pashlyeshme për të gjithë afeksionin dhe gjithë vullnetin e mirë që ka treguar teksa e ka shoqëruar Shqipërinë në rrugëtimin e saj të plotë drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Rama.

Në lidhje me pretendimet në mediat italiane për “lidhje të shtetit shqiptar me krimin e organizuar”, Rama tha se janë “me qëllimin fare të qartë për të hedhur baltë mbi këtë vend (Shqipërinë), për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive, marrëveshjen e bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të paligjshëm”.

– Meloni: Shqipëria është një vend mik i Italisë dhe Bashkimit Evropian

Meloni theksoi se Italia po kryen punime për ngritjen e dy qendrave në Shqipëri, sipas saj, qendrën për pritjen e emigrantëve dhe qendrën ku ata do të strehohen. Ajo konfirmoi se të dyja qendrat do të jenë operative nga 1 gushti 2024.

“Dy vendet tona janë dy vende mike, janë vende që historikisht kanë bashkëpunuar së bashku. Do të doja të falënderoja dhe një herë kryeministrin Rama dhe gjithë popullin shqiptar për mundësinë dhe ndihmën që na dhanë në mënyrë që ne të realizonim këtë marrëveshje dhe që unë shpresoj që të jetë një shembull edhe për gjithë Bashkimin Evropian”, u shpreh Meloni.

Ajo tha se marrëveshja bazohet edhe në luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm.

“Faktikisht, qeveria shqiptare nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndihmuar qeverinë italiane. Edhe më parë historia e Shqipërisë ka treguar se ajo ka pasur dëshirën e sinqertë për të qenë pjesë e BE-së dhe për të zgjedhur të gjitha ato mundësi bashkëpunimi dhe nuk i ka munguar asnjëherë mbështetja e Italisë për këtë”, tha ajo.

Kryeministrja italiane tha se Shqipëria është një vend mik i Italisë dhe Bashkimit Evropian, sepse sipas saj Shqipëria sillet tashmë sikur të ishte anëtare me të drejta të plota e BE-së, duke shtuar se Italia do të jetë gjithmonë një mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

– Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit

Më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.

Protokolli parashikon ngritjen në Shqipëri të qendrave të pritjes së emigrantëve të paligjshëm dhe Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që do ndërtohen, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.

Related posts

Policia: Kremtimi i Vidovdanit në Gazimestan kaloi pa incidente, një person u shoqërua

RTI

Emiratet e Bashkuara Arabe, 100 milionë dollarë për Turqinë dhe Sirinë

rezart morina

Kurti takon Plenkoviqin: Kosova dhe Kroacia e kanë të përbashkët të kaluarën dhe të ardhmen

admin