RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Mesazhi i senatorëve: Moszbatimi i marrëveshjes, mosintegrim në BE e NATO

mesazhi-i-senatoreve:-moszbatimi-i-marreveshjes,-mosintegrim-ne-be-e-nato

“Pasojat e një dështimi për të zbatuar këtë marrëveshje lidhen me gjithë koston që ka të bëjë me mosintegrimin me Evropën ose mosintegrimin në NATO. Pra, ju e dini, ne nuk po flasim për pasoja të bazuara në SHBA. Këto janë pasojat për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë nëse liderët e tyre nuk bëjnë zgjedhjet e ashpra politike të nevojshme fillimisht për të arritur normalizimin dhe më pas njohjen reciproke”, ka thënë senatori Chris Murphy në bashkëbisedim me gazetarët.

Kosova rrezikon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO nëse nuk zbaton marrëveshjen e dakorduar me Serbinë, kanë thënë të hënën senatorët amerikan Chris Murphy dhe Gary Peters. Gjatë një diskutimi me gazetarë, Murphy dhe Peters kanë theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të mundësisë që u është dhënë të dyja palëve.

“Pasojat e një dështimi për të zbatuar këtë marrëveshje lidhen me të gjithë koston që lidhet me mosintegrimin me Evropën ose mosintegrimin në NATO. Pra, ju e dini, ne nuk po flasim për pasoja të bazuara në SHBA. Këto janë pasojat për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë nëse liderët e tyre nuk bëjnë zgjedhjet e ashpra politike të nevojshme fillimisht për të arritur normalizimin dhe më pas njohjen reciproke”, ka thënë Murphy, duke shtuar se një gjë të tillë do t’ia bëjnë të qartë edhe Serbisë, gjatë vizitës që do të kenë këtë javë, në mënyrë që edhe ata të kryejnë pjesën e tyre të punës.

Kosova dhe Serbia në shkurt të këtij viti janë dakorduar lidhur me përmbajtjen e propozimit evropian, derisa një muaj më vonë edhe për aneksin e saj. Tre muaj pas dakordimit, që të dyja shtetet janë kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se nuk janë duke vepruar drejt zbatimit të marrëveshjeve të dakorduara.

Senatori Murphy është anëtar në Komisionin e Senatit për Punë të Jashtme. Ndonëse thotë se nuk mund të japë një datë kur Kosova, nëse zbaton marrëveshjen, mund të jetë pjesë e NATO-s, me një hap të tillë, ai është i bindur që mund të sigurohet konsensusi i nevojshëm.

“Ne besojmë se mund të arrijmë unanimitetin nëse i zgjidhim dallimet që ekzistojnë sot mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe këto dallime mund të zgjidhen. Kështu që nuk mund të vendos një datë për të, por mendoj se është e mundur, është e parashikueshme, por varet nga arritja dhe zbatimi i marrëveshjes”, ka sqaruar ai.

Krahas synimeve integruese në BE dhe NATO, moszgjidhja e mosmarrëveshjeve me Serbinë, Kosovës i kushton edhe sa i përket investimeve të huaja, sipas senatorit Gary Peters. Ai thotë se me gjithë se Kosova është vend i lehtë për të bërë biznes, për investitorët e jashtëm e rëndësishme është siguria e raportet me Serbinë.

“Nëse nuk arrini në një lloj marrëveshjeje dhe nuk e bëni këtë së bashku dhe më pas shihni një normalizim të kësaj, nuk do të merrni investime të huaja. Ka mundësi të jashtëzakonshme që investimet e huaja të vijnë këtu, por jo nëse nuk kemi një marrëveshje që i siguron investitorët se ky është një vend i mirë për të investuar”, ka thënë Peters.

Nuk pranohen koncesione që rrezikojnë sovranitetin dhe sigurinë në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë urgjente kërkojnë zbatimin e njërës nga marrëveshjet e arritura me Serbinë, atë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Zyrtarë të lartë amerikanë, nisur nga këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës veprime në këtë drejtim.

Në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të zhvilluar në fillim të këtij muaji, është prezantuar një draft-statut i formimit të Asociacionit. Ky draft i prezantuar nga ekipi menaxhues, i emëruar gjatë qeverisjeve paraprake, nuk është pranuar nga Kurti, me arsyetimin se synohet krijimi i një Republike Serbe në Kosovë.

Megjithëkëtë prezantimi i tij është parë si pikënisje nga ndërmjetësuesi i dialogut, Bashkimi Evropian, drejt zbatimit të marrëveshjes së dakorduar 10 vjet më parë.

Sikurse përfaqësuesit e tjerë, edhe senatorët Chris Murphy e Gary Peters sigurojnë se një asociacion i tillë mund të formohet pa cenuar sovranitetin e Kosovës.

‘Është e qartë se Shtetet e Bashkuara mendojnë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është diçka që mund të bëhet dhe duhet të bëhet. Dhe ne do të vazhdojmë të insistojmë në këtë, sepse e shohim si një zotim që Kosova ka bërë dhe e shohim si absolutisht thelbësor për Kosovën, që t’ iu bashkohet përfundimisht të gjitha institucioneve në të cilat Kosova meriton të jetë pjesë”, ka thënë Murphy në diskutimin që e zhvilloi të hënën me gazetarët.

Sipas tij, derisa Kosova duhet të përmbushë këtë zotim të bërë, Serbia duhet të heqë dorë nga bllokada që i bënë në rrugën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

“Ka arsye pse ka kërkesë për Asociacion të komunave. Dhe ekziston një besim i vërtetë se asociacioni mund, në të njëjtën kohë, të ofrojë shërbime të rëndësishme për njerëzit e atyre komunave, duke mos cenuar sovranitetin e qeverisë në Prishtinë. Pra, mendoj se ka çështje legjitime që i paraqesin serbët që jetojnë në Kosovë. Por, lajmi i mirë është se ne kemi një zgjidhje. Ka disa probleme për të cilat jeni ende në kërkim të zgjidhjes. Këtu kemi një zgjidhje që nuk është e panjohur për ne në Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar ai.

Senatorët amerikanë kanë sqaruar se janë të vetëdijshëm se sa e vështirë është për të dyja shtetet që të ecin në këtë drejtim por që, sipas tyre, është koha për të ecur me zbatimin e këtyre hapave.

Duke folur për garancitë që SHBA-ja mund të japë që formimi i Asociacionit nuk do të jetë krijimi i një pushteti ekzekutiv në Kosovë, senatori Murphy ka thënë se si aleatë që janë nuk do të pajtoheshin asnjëherë me një gjë të tillë.

“Asnjë vend në botë nuk ka investuar në suksesin dhe sovranitetin e Kosovës sa Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara nuk do të pajtohen kurrë me ndonjë koncesion apo hap të ndërmarrë nga Kosova që do të rrezikonte sigurinë e këtij vendi në të ardhmen. Dhe shpresoj se këtu ka besim se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë Kosovës. Dhe kjo përfshin diskutimet rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ju duhet të lëvizni në të njëjtën kohë. Pra, ju e dini, Serbia duhet të ecë përpara në zotimet e saj në të njëjtën kohë që Kosova po ecën përpara në angazhimet dhe obligimet e saj”, ka deklaruar senatori Murphy.

Ndërtimi i besimit

Në mënyrë që marrëveshja të zbatohet, sipas senatorit Gary Peters, të dyja shtetet duhet të lëvizin në të njëjtin drejtim, në të njëjtën kohë dhe të ndërtojnë besimin ndaj njëra-tjetrës.

“Besimi është një gjë vërtet e vështirë për t’u ndërtuar dhe ka shumë arsye pse nuk është këtu tani, dhe do të jetë vërtet e vështirë. Por të dyja palët duhet të veprojnë së bashku për të treguar mirëbesim nga të dyja anët e vetëm njëra palë që tregon besim të mirë. Është vërtet e vështirë të arrish në hapin numër dy, ke vetëm hapin numër një. Pra, kjo duhet të jetë çelësi. Dhe kjo duhet të jetë kërkesa e negociatave. Të dyja palët të ndërmarrin hapa njëkohësisht”, ka thënë Peters.

Si anëtarë i komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, Peters ka treguar se gjatë vizitës në Kosovë një pjesë të diskutimeve e ka pasur të koncentruar në atë se si mund të ndihmojnë në sigurimin e pajisjeve shtesë ushtarake dhe trajnimit.

Pas Kosovës të dy senatorët, Chris Murphy e Gary Peters, vizitën e tyre në rajon do ta vazhdojnë në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi e Maqedoni të Veriut.

Related posts

Reisul Ulema i BFI e RMV Shaqir Fetahu dënon djegien e Kur´anit

admin

Gjashtë anije të tjera me drithë nisen nga portet e Ukrainës

admin

Vdekja e dyshimtë e politikanit opozitar rus, grupi hetues: Aleksei Navalny mund të ketë vdekur nga helmimi në burg

admin