Këshilli Qendror Grevist i SBAShK-ut, shoqëruar nga Këshilli Qendror Grevist i BSPK-së pas vizitës në shkollën e mesme teknike, “28 Nëntori”, vizituan edhe shkollën fillore, “Naim Frashëri”, në Prishtinë.
Këtu, ata paralajmëruan ministrin e Financave, Hekuran Murati se në rast se nuk i ekzekuton të gjitha pagat deri nesër, do të angazhojnë avokat dhe do të bëjnë padi shtesë ndaj tij.
Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, njëherësh edhe kryetar i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se pavarësisht rrugëtimit nëntë muaj, duke kërkuar institucionet për realizimin e kërkesave në mënyrë që mos të ndodhë greva, asnjëra prej tyre nuk është përfillur.
Ndërsa, tha se nuk do të dorëzohen pavarësisht presioneve nga Qeveria.
“Dje ministri Murati në vend se të dërgojë mesazhe pozitive, të ulemi dhe të bisedojmë, në vend që znj. Nagavci të thotë po ulemi dhe bisedojmë dhe të na urojë me ndonjë mesazh, ndodhi ajo më e papritura e cila është gjykuar nga pjesa më e madhe e popullit… Gjithë kjo po bëhet me qëllim që të na gjunjëzojnë, që ne të dorëzohemi dhe pastaj ata të bëjnë çfarë të ju teket me arsimin, me idetë e tyre. Ne nuk do të dorëzohemi, pavarësisht presioneve e nxitjeve që Qeveria do të bëjë , personalisht edhe ndaj meje, nuk do të dorëzohem, do të jem zëri juaj”, thotë ai.
Ai po ashtu tha se greva do të përfundojë kur të realizohen kërkesat e tyre.
Më tej, Jasharaj tha se presin nga Qeveria sot, të merren me zgjedhjen e këtyre problemeve. Sipas tij, më me kërcënime e presione nuk arrihet asgjë e mirë.
“Uroj që Qeveria ta ketë kuptuar se me asnjë masë ndëshkuese s’mund të na gjunjëzojë sepse jemi në rrugën tonë, uroj që Qeveria Kurti, Nagafci, Murati të ulen që sot dhe të na thirrin edhe neve dhe të fillojmë me zgjedhjen e këtyre problemeve. Sepse me kërcënime e presione nuk arrihet asgjë e mirë, por gjendja shkon vetëm duke u përshkallëzuar”, thotë ai.
Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Grevist në SBAShK, thotë se greva po respektohet dhe ka kërkuar nga Qeveria të reflektojë pozitivisht karshi kërkesave të tyre.
“Greva po respektohet dhe kështu do të shkojmë edhe më tutje… Qeveria të reflektojë pozitivisht, të bënë zgjidhjen e kërkesës sonë që e kemi shumë minimale, karshi shtrenjtimeve të shumta”, thotë ai.
Ymer Ymeri, koordinator i SBAShK-ut, tha se nëse pagat nuk ekzekutohen deri në ditën e nesërme, do të angazhojnë avokat dhe do të bëjnë padi shtesë ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Nëse pagat nuk ekzekutohen gjatë datë ditës së sotme dhe gjatë ditës së nesërme, ne do të angazhojmë një ekip të avokateve dhe do të bëjmë padi shtesë për ministrin Murati ashtu si ja kemi bërë dje, një kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit për shkak të ndërhyrjes në grevë. Qëllimi i ministrit Murati është thyerja e grevës”, thotë ai.
Ndërsa i është përgjigjur deklaratës së Muratit rreth çështjes së të hyrave.
“40 % të pagave shkojnë në shoqatë sindikale dhe për ato pare që shkojnë në sindikatë, jep llogari shoqata sindikale dhe jo SBAShK-u, 10% e tyre shkojnë në nivel komunal që japin llogari shoqatat komunale, 12% e asaj pjese paguhet anëtarësia në BSPK, dhe pjesa tjetër e mbetur prej 12 % shkon për pushim që i dërgojmë rreth 420 arsimtar në deti, ndërsa një pjesë tjetër paguhet internacionalja botërore e arsimit dhe mbesin 30 % në SBAShK… Qëllimi kryesor i ministrit Murati është që ne me u marrë me këto dhe mi lënë kërkesat tona. Asnjë përgjigje nuk do ja japim askujt deri ta përfundojmë kërkesën që kemi për anëtarësi”, thotë ai.