Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të shqyrtohet më vonë, ka thënë ministri francez për Çështje Evropiane, Jean-Noel Barrot, pasi sipas tij në këtë fazë ekziston rreziku që çështja e Kosovës të shkaktojë përçarje ndërmjet shteteve në KiE.
Para seancës së Komitetit të Ministrave ministri Jean-Noel Barrot ka thënë se Franca është një nga anëtarët e Këshillit të Evropës që e njeh Kosovën dhe beson se në të ardhmen Kosova do të jetë pjesë e KiE-së.
“Megjithatë, Franca beson se në këtë drejtim, Kosova ka një rrugë të caktuar për ta kaluar dhe Franca është në dispozicion për ta shoqëruar Kosovën në atë rrugë”, ka theksuar Barrot, raporton Euronews.
Komiteti i Ministrave është mbledhur sot në Strasburg, derisa çështja e anëtarësimit të Kosovës ka mbetur jashtë agjendës.
Kosovës i është kërkuar dërgimi i draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
Ndërsa ekzekutivi kosovar të enjten i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.