Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg para takimit që do të mbahet mes delegacioneve të Turqisë, Suedisë dhe Finlandës rreth aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO, raporton Anadolu.
Pas takimit të ministrit Fidan dhe kreut të NATO-s, Stoltenberg në selinë e Aleancës në Bruksel, pritet që të takohen delegacionet e Turqisë, Suedisë dhe Finlandës për të zhvilluar bisedime rreth aplikimit të Suedisë.
Në delegacionin turk që do të marrë pjesë në takimin e kryesuar nga Stoltenberg, krahas ministrit të Jashtëm Fidan, do të marrin pjesë edhe kreu i MIT, İbrahim Kalın, kryekëshilltari i presidencës, ambasadori Akif Çağatay Kılıç dhe zv.ministri i Jashtëm, ambasadori Burak Akçapar.
Në takim është planifikuar të shqyrtohen hapat e ndërmarra në bazë të Memorandumit Trepalësh, nga Finlanda dhe Suedia kryesisht në aspektin e dimensioneve të ndryshme të luftës kundër terrorizmit, për periudhën që nga takimi i mëparshëm i mbajtur në Ankara më 14 qershor.
Me Memorandumin Trepalësh që u nënshkrua nga Turqia, Finlanda dhe Suedia përpara Samitit të NATO-s në Madrid më 28 qershor 2022, u krijua Mekanizmi i Përhershëm i Përbashkët. Bisedimet e zhvilluara sot në NATO janë takimi i pestë i këtij mekanizmi.