Ministrja e Zhvillimit e Belgjikës, Caroline Gennez, ka deklaruar se vendi i saj po humbet një “mundësi historike” duke mos u bashkuar me tre vendet e tjera evropiane në njohjen e shtetit palestinez, transmeton Anadolu.
“Fatkeqësisht, nuk ka njohje belge të shtetit palestinez sot. Belgjika vazhdon të punojë në kohën dhe kontekstin për të arritur njohjen”, shkroi Gennez në platformën sociale X.
Megjithatë, theksoi Gennez, urgjenca është shumë e madhe, duke shtuar se, “Sot po humbasim një mundësi historike”.
Komentet e saj vijnë pasi Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njoftuan se do ta njohin Palestinën si shtet që nga 28 maji.
Njohja e Palestinës vjen derisa Izraeli vazhdon sulmet e tij brutale në Rripin e Gazës që kanë vazhduar që nga 7 tetori i vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Palestina është njohur tashmë nga tetë vende evropiane, përkatësisht nga Bullgaria, Polonia, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Hungaria, Suedia dhe administrata e Qipros Greke.
Të paktën 35.700 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 80 mijë të tjerë janë plagosur që nga tetori i kaluar pas sulmit ndërkufitar të Hamasit.
Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Rripin e Gazës.