Rusia “nuk do ta pranojë” çmimin tavan të vendosur nga Grupi i Shtatëshes dhe aleatët e saj për naftën ruse, njoftuan agjencitë shtetërore të lajmeve të shtunën duke cituar Kremlinin.
Agjencia TASS citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov të thoshte se Moska po e analizonte këtë masë.
Rusia tha po të shtunën se do të vazhdojë të gjejë blerës për naftën e saj, pavarësisht asaj që ajo e cilësoi përpjekje “të rrezikshme” nga qeveritë perëndimore për të vendosur kufirin e çmimit në eksportet e saj të naftës.
Një koalicion i vendeve perëndimore të udhëhequr nga G7-a ranë dakord të premten të kufizojnë çmimin e naftës ruse të transportuar nga deti në 60 dollarë për fuçi.
Synimi i kësaj mase është të kufizohen të ardhurat e Moskës dhe të dëmtohet aftësia e saj për të financuar agresionin në Ukrainë.
Rusia ka thënë vazhdimisht se nuk do të furnizojë me naftë vendet që zbatojnë çmimin tavan – një qëndrim i rikonfirmuar nga Mikhail Ulyanov, ambasadori i saj në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, në postime në mediat sociale.
Në komente të publikuara në Telegram, ambasada e Rusisë në Shtetet e Bashkuara kritikoi atë që e cilësoi “ndryshim” i parimeve të tregut të lirë dhe përsëriti se nafta e saj do të vazhdojë të jetë e kërkuar pavarësisht masave.
“Hapa të tillë do të rezultojnë në mënyrë të pashmangshme në rritjen e pasigurisë dhe imponimin e kostove më të larta për konsumatorët e lëndëve të para,” tha ambasada.