Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë themelore në Gjilan, ka ndaluar: V.S., L.N., L.M. dhe A.A., të dyshuar për përfshirje në shitblerje të substancave narkotike.
Sipas komunikatës së Prokurorisë në Gjilan, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e sipërshënuar, në bashkëpunim dhe me qëllim të përfitimit material, kanë organizuar shitblerjen e substancave narkotike të llojit kokainë dhe heroinë.
“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në 4 lokacione të ndryshme, janë sekuestruar:
– 1,549.2 kg heroinë,
– 54.7 gr kokainë,
– 2.010 euro para të gatshme,
– 1 Armë e shkurtë Zoroki dhe 1 karikator me 15 fishekë,
– 1 telefon mobil Samsung,
– 3 peshore elektronike dhe
– 1 automjet BMW”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, me urdhër të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
“Të dyshuarit me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.