Në një pjesë të madhe të Rripit të Gazës u ndërprenë sërish shërbimet e komunikimit dhe të internetit për shkak të sulmeve izraelite, transmeton Anadolu.
Dy nga kompanitë e telekomunikacionit të Palestinës “Jawwal” dhe Ooredoo” bënë dy deklarata të veçanta mbi këtë temë. “Jawwal” njoftoi se ka “ndërprerje të plotë” në shërbimet e komunikimit dhe internetit në Rripin e Gazës.
Kjo është ndërprerja e shtatë që shërbimet e kompanisë kanë pësuar që nga fillimi i sulmeve të Izraelit në rajon më 7 tetor.
“Me keqardhje ju njoftojmë se të gjitha shërbimet e komunikimit dhe të internetit në Rripin e Gazës janë ndërprerë plotësisht për shkak të sulmeve të vazhdueshme”, thuhet në deklaratë.
Kompania “Ooredoo” njoftoi se ndërprerja në shërbimet e komunikimit në jug dhe qendër të Rripit të Gazës si dhe në veri, ishte ndërprerja e shtatë në shërbimet e saj që nga fillimi i sulmeve.
Ndërkohë që furnizimi me ujë, ushqim, ilaçe, energji elektrike dhe karburant i është ndërprerë Rripit të Gazës, i cili është nën bllokadë prej vitesh dhe vuan nga kushtet e këqija, me sulmet e kryera nga Izraeli që nga 7 tetori, shpesh ndërpriten shërbimet e komunikimit, telefonat fiks, celularë dhe interneti.
Zyra për media e qeverisë në Gaza deklaroi se Izraeli ka ndërprerë qëllimisht komunikimin dhe rrjetet e internetit me Rripin e Gazës që nga fillimi i sulmeve kundër popullit palestinez dhe bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve kriminale kundër popullit palestinez.