Ndihma e parë italiane e destinuar për zonat e Sirisë të kontrolluara nga qeveria e presidentit Assad mbërriti dje në Bejrut.
Është gjithashtu ndihma e parë nga një vend i Bashkimit Evropian.
Bëhet fjalë për 30 ton material mjekësor, duke përfshirë 4 autoambulanca dhe një ekip prej 4 mjekësh.
Materiali do të transferohet sot në Damask në bashkëpunim me SARC e cila do ta shpërndajë në zonat më të prekura, Latakia, Alepo, Hama dhe Tartous.
Në përgjigje të aktivizimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ministri i Jashtëm Antonio Tajani kërkoi të organizonte transportin e materialit të dhuruar nga San Donato Group për të mbështetur popullsinë siriane të prekur nga tërmeti.
Kjo është ndihma e parë e dërguar nga një vend evropian në Siri për t’iu përgjigjur një tragjedie që ka goditur një popullatë tashmë të prekur nga konflikti gati 12-vjeçar.
Tashmë ministri Tajani ka urdhëruar që të ndahen ndihma të tjera për popullatën, pavarësisht zonave në të cilat ndodhen; në Farnesina ata saktësojnë se “është e nevojshme t’i përgjigjemi tragjedisë duke shmangur ndihmën politizuese”. /ora