Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Podujevë, ku dyshohet se një grua ka ndihmuar vajzën e saj të kryente abort të kundërligjshëm, në muajin e shtatë.
Nënë e vajzë tashmë janë arrestuar nga policia, ndërsa Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tyre.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, sipas KPRK-së”, tha ajo.
Ulaj tha se për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe të fazës hetimore në të cilën gjendet kjo çështje, nuk mund të japin informata tjera.
Ndryshe, në media u raportua se vajza e cila ka kryer abort është 19-vjeçare, dhe nëna e saj rreth 40 vjeç.
Policia konfirmoi sot se 19-vjeçarja kishte kërkuar tretman mjekësor në QKUK, dhe se ajo dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme./