Shkencëtarët mund të kenë ndërmarrë një hap të rëndësishëm në zbardhjen e misterit të migrenës.
Duke përdorur imazhe të rezonancës magnetike me rezolucion ultra të lartë, ata zbuluan se hapësirat perivaskulare, zonat e mbushura me lëngje që rrethojnë enët e gjakut në tru, zmadhohen në mënyrë të pazakontë te pacientët me migrenë kronike ose episodike.
Edhe pse nuk dihet ende se si këto rritje lidhen me migrenën, kjo mund të hapë një drejtim të ri për kërkimet e ardhshme në këtë gjendje të pakëndshme dhe të dhimbshme, shkruan Science Alert.
“Te njerëzit me migrenë kronike dhe episodike, ka ndryshime të rëndësishme në hapësirat perivaskulare të rajonit të trurit. Kjo është hera e parë që vërehet diçka e tillë”, tha doktor Wilson Xu i Universitetit të Kalifornisë Jugore në Los Anxhelos.
Migrena mund të jetë ferr i vërtetë. Përveç një dhimbje koke të padurueshme, ajo mund të shkaktojë marramendje, dëmtim të shikimit, fotosensitivitet dhe vjellje.
Deri më tani nuk dihet se çfarë e shkakton migrenën dhe nuk ka asnjë ilaç që mund t’i ndalojë plotësisht ato. Duke qenë se gjendja prek afërsisht 10 për qind të popullsisë së botës, gjetja e shkakut të saj mund t’ua lehtësojë jetën miliona njerëzve.
Xu dhe kolegët e tij studiuan hapësirat perivaskulare në rajonin qendror të lëndës së bardhë të trurit (centrum semiovale) pak nën korteksin cerebral. Ne nuk jemi plotësisht të njohur me funksionet e këtyre hapësirave, por e dimë se ato luajnë një rol në kullimin e lëngjeve dhe se zmadhimi i tyre mund të jetë një simptomë e një problemi më të madh.
“Hapësirat perivaskulare janë pjesë e sistemit të pastrimit të lëngjeve të trurit. Nëse kuptojmë se si ato ndikojnë në migrenë, mund të kuptojmë më mirë kompleksitetin e kësaj gjendjeje,” beson Xu.
Teknologjia 7T MRI
Ai dhe kolegët e tij ekzaminuan 20 pacientë të moshës 25 deri në 60 vjeç me migrenë: 10 me migrenë kronike dhe 10 me migrenë episodike. Gjatë hulumtimit, ata përjashtuan të gjithë subjektet me dëmtim kognitiv, klaustrofobi, tumor në tru dhe ata që më parë i ishin nënshtruar një operacioni në tru. Si grup kontrolli morën 5 pacientë të shëndetshëm që nuk vuajnë nga migrena.
Më pas ata kryen skanime të gjera MRI me makina 7T; shumica e spitaleve kanë ato me fuqi deri në 3T. Regjistrimet treguan se hapësirat perivaskulare në centrum semiovale në pacientët me migrenë ishin rritur ndjeshëm në krahasim me grupin e kontrollit.
“Për shkak se MRI 7T mund të kapë imazhe të trurit me rezolucion shumë më të lartë dhe cilësi më të mirë se llojet e tjera të MRI, ajo mund të zbulojë ndryshime shumë më të vogla që ndodhin në indet e trurit pas një migrene,” shpjegoi Xu.
Lezionet e lëndës së bardhë
Shkencëtarët gjetën gjithashtu një ndryshim në shpërndarjen e lezioneve të njohura si hiperintensitet i lëndës së bardhë në pacientët me migrenë.
Nuk kishte asnjë ndryshim në frekuencën e këtyre lezioneve midis pacientëve me migrenë dhe kontrolleve, por lezione më të thella u vunë re tek ata që vuanin nga migrena. Prandaj, ekspertët besojnë se zgjerimi i hapësirave perivaskulare mund të shkaktojë zhvillimin e më shumë lezioneve të lëndës së bardhë.
Edhe pse lidhja midis hapësirave perivaskulare të zgjeruara dhe migrenës nuk është plotësisht e qartë për momentin, rezultatet e këtij hulumtimi sugjerojnë se migrena vjen me një problem me “ikjen e trurit”, domethënë sistemin përgjegjës për pastrimin e materialeve të mbeturinave në tru dhe sistemi nervor, i cili përdor kanalet perivaskulare për transport.