Policia Kombëtare e Ukrainës ka bërë të ditur se në rajonet e qyteteve Kharkiv dhe Kiev janë zbuluar “varre masive më të mëdha të gjetura” deri më tani në vend, transmeton Anadolu.
“Varrimet masive më të mëdha u gjetën në Izium në rajonin e Kharkivit, ku vdiqën 981 njerëz dhe në rajonin e Kievit, ku u gjetën trupat e 1.374 njerëzve”, tha kreu i departamentit hetimor, Maksym Tsutskiridze.
Sipas njoftimit nga Policia Kombëtare e Ukrainës, Tsutskiridze tha se 66.700 procedime penale janë nisur që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, duke theksuar më tej se shumica e këtyre rasteve bazohen në “shkeljen e ligjeve dhe zakoneve të luftës”.
Tsutskiridze gjithashtu ndau informacione për punën e policisë ukrainase në rajonet e rimarra nga forcat ruse, duke theksuar se, “Aty po zbulojmë trendet më të mëdha. Këto janë edhe varre masive, edhe vende të ndalimit të përkohshëm të qytetarëve tanë, përfshirë gazetarët”.
Ai tha se policia regjistroi 24 dhoma torture dhe vende burgimi në rajonin e Kharkivit, 16 në rajonin e Khersonit, tre në rajonin e Kievit dhe gjashtë në rajone të tjera.
Tani në vitin e dytë të saj, sipas shifrave të fundit të Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta midis Rusisë dhe Ukrainës deri më tani ka vrarë të paktën 8.231 civilë dhe ka plagosur 13.734 të tjerë.