Organizatat “Merhamet”, “Vizioni M”, Shtëpia Botues “Logos-A” që nga 6 shkurti, dita kur ndodhën tërmetet e tmerrshme në Turqi dhe Siri kanë realizuar një sërë aktivitetesh humanitare për të kontribuar sadopak në zonat e prekura nga tërmetet. Që nga 6 shkurti OKH “Merhamet”, ka mbështetur iniciativën e Matusitebit, ku nëpërmjet llogarisë së hapur donacionet bamirëse drejtoheshin në llogarinë e hapur të “Matusiteb”-it. Gjithashtu, OKH “Merhamet”, ka qenë pjesëmarrëse edhe e iniciativës së Universitetit Ndërkombëtar Ballkanit në Shkup, iniciativë kjo ku u bë tubimi i ndihmave materiale për zonat e prekura të tërmetit në Turqi.
Nënkryetari i TIKA-s, përgjegjës për Evropë dhe vendet ballkanike, Dr. Mahmut Çevik, ka falënderuar shoqatat shqiptare për ndihmat e dërguara drejt Turqisë. Dr. Mahmut Çevik, vite me radhë ka qenë koordinator i TIKA-s për Maqedoninë e Veriut, dhe njihet si njëri ndër personalitetet e shquara që njeh më së miri rrethanat e Ballkanit, shqiptarët dhe ndër vite kontributi i tij për popujt e Ballkanit është jashtëzakonisht i madh, në aspekt kulturor dhe të shoqërisë civile.
Në një postim në twitter ai përmend punën e palodhur që kanë bërë të rinjtë e shoqatave shqiptare për të ndihmuar të prekurit nga tërmetet.
“Mjete të mëdha transporti (kamionë) të mbushura me jorganë, veshmbathje, gjeneratorë,ngrohësa elektrikë, artikuj higjienikë, ndihma këto që janë nisur drejt Turqisë të organizuar nga Fondacioni Alsar i Republikës së Shqipërisë. Ndërsa, nga Maqedonia e Veriut, të rinjtë shqiptarë, aktivistë të Shoqatës Kulturore Humanitare ‘Merhamet’, në bashkëpunim me të rinjtë turq të organizatës ‘Matusiteb’, përveç që kanë lexuar hatme (lexim të Kur’anit), ata vazhdojnë të dërgojnë ndihmat e tyre drejt Turqisë”.
Gjatë këtyre ditëve në qytetet e ndryshme të vendit tone po vazhdon fushata e Kermesit të organizuar nga shoqatat: “Merhamet”, Vizioni M, Parimi dhe sh.b. Logos-A.
Ndërkaq, në ditët në vijim nje grup aktivistësh të shoqatave “Merhamet”, “Vizioni M” dhe “Parimi” do të shkojnë në vendet e prekura nga tërmeti në Turqi, ku për së afërmi do të ndihmojnë dhe do të qëndrojnë pranë vëllezërve turq. /shenja