Një ditë para takimit të radhës të kryengociatorëve në Bruksel ka optimizëm se do të arrihet një zgjidhje për çështjen e dinarit. Njohësit e procesit të dialogut vlerësojnë se në takimin e tretë ndërmjet kryengociatorit kosovar, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq do të gjendet kompromisi edhe me insistimin të BE-së. Sipas tyre, pala kosovare duhet të insistojë në ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e rregullores së BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit, por të pajtohet për një zgjidhje tranzicioni ku nuk dëmtohen qytetarët serbë në Kosovë.
Politologu Fidan Ukaj thotë për KosovaPress se duke parë dinamikën e takimeve të shpeshta në Bruksel, por edhe insistimin e faktorit ndërkombëtar do të arrihet një dakordim për çështjen e dinarit.
“Jam optimist se do të jetë një zgjidhje nga takimi i radhës, duke parë edhe dinamikën e takimeve të shpeshta për zgjidhjen e kësaj problematike, po ashtu edhe insistimin e faktorit ndërkombëtar që të ketë zgjidhje. Mundësisë që nga propozimet e ofruara nga të dy palët që njëra nga këto propozime të jetë zgjidhja e këtij ngërçi për çështjen e dinarit…Të largohet ky informalitet i cili ka qenë i theksuar, sidomos në lokalitetet ku ka theksuar komuniteti serb. Të respektohet ligjshmëria dhe Kushtetuta e Kosovës, të eliminohet një monedhë e cila ka qenë duke operuar jashtëligjshëm në territorin e Kosovës”, thotë ai.
Optimist shprehet edhe njohësi i procesit të dialogut, analisti Dorajet Imeri, i cili pret që palët në takimin e së enjtes të dakordohen për çështjen e dinarit.
“Natyrisht, se mund të prodhojë një zgjidhje, sepse ka pasur intensitet në vazhdimësi dhe kërkesë të Bashkimit Evropian si lehtësuese e këtyre bisedimeve që të ketë një zgjidhje që do të ishte e pranueshme…Unë pres që palët të dakordohen për një zgjidhje, por kjo zgjidhje besoj se nuk do t’i jap menjëherë fund kësaj çështje. E keqja është se Serbia në vazhdimësi çdo veprim politik që e ka marrë Kosova e ka kthyer në negociatat ose kërkesë për të negociuar. Çështjet e brendshme të Kosovës i ka kthyer si çështje të dialogut të ndërsjellë. Kjo ka dy efekte negative, e para e stërgjatjes së mundësisë për të prodhuar shpejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e dyta që e konteston çdo gjë që Kosova ndërmerr, edhe nëse ajo është tërësisht legjitime dhe legale”,thekson Imeri.
Përkundër takimeve në dy javët e fundit Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur një dakordim për çështjen e dinarit. Pas takimit të javës së kaluar, kryenegociatori Besnik Bislimi ka thënë se propozimet e palëve për çështjen e dinarit janë akoma larg njëra-tjetrës.
Sipas tij, pala kosovare ka nxjerrë një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe legjislacioni në fuqi.