Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se një fitore totale kundër Hamasit në Rripin e Gazës do të sigurojë “marrëveshje më historike të paqes” në rajon, transmeton Anadolu.
“Është e vetmja mënyrë për të siguruar më shumë marrëveshje historike të paqes. Fitorja do t’i japë një goditje fatale boshtit të së keqes së Iranit: Hezbollahut, rebelëve Houthi dhe natyrisht Hamasit”, tha Netanyahu para një grupi ushtarësh izraelitë në Kudsin Perëndimor.
Siç citon zyra e kryeministrit izraelit, Netanyahu pretendoi se ushtria izraelite ka shkatërruar 75 për qind të batalioneve të Hamasit në Rripin e Gazës.
Izraeli tashmë ka marrëveshje të paqes me Egjiptin dhe Jordaninë. Vendi gjithashtu nënshkroi marrëveshje të sponsorizuara nga SHBA-ja në vitin 2020 për të normalizuar marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Sudanin dhe Marokun.
Tel Avivi gjithashtu kërkoi të vendosë lidhje me Arabinë Saudite para shpërthimit të konfliktit në Rripin e Gazës më 7 tetor.
Muajin e kaluar, presidenti izraelit, Isaac Herzog, tha se normalizimi i marrëdhënieve të Izraelit me Arabinë Saudite do të jetë një element kyç për t’i dhënë fund luftërave.
Që nga 7 tetori, sipas autoriteteve lokale, të paktën 27.478 palestinezë janë vrarë dhe 66.835 të tjerë janë plagosur në ofensivën vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës. Tel Avivi, nga ana tjetër, thotë se 1.200 izraelitë janë vrarë në sulmin e Hamasit, ndërsa mbi 130 izraelitë mbeten në robërinë e Hamasit.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.