RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Nga BE-ja flasin sërish për urën e Ibrit: Vendimi për rihapjen e saj duhet të merret brenda kornizave të dialogut

nga-be-ja-flasin-serish-per-uren-e-ibrit:-vendimi-per-rihapjen-e-saj-duhet-te-merret-brenda-kornizave-te-dialogut

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka deklaruar sot se çdo vendim për hapjen eventuale të urës së Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret brenda kornizës së dialogut”, deklaroi Stano sot në Bruksel.

I pyetur se çka do të ndodhë nëse Kosova merr vendim për hapjen e kësaj ure, Stano tha se BE-ja nuk spekulon kurrë në skenarët “po sikur” dhe përsëriti se qëndrimi i përgjithshëm i Bashkimit Evropian është se është e nevojshëm të zbatohen marrëveshjet, të arritura në kuadër të dialogut.

Duhet theksuar që ditë më parë, kryeministri i vendit, Albin Kurti pati deklaruar se hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt.

Kurti deklaroi Qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, dhe që ai veprim nuk është kundër askujt.

Kurti i ka bërë këto deklarata një ditë pas takimit me ambasadorë të vendeve të QUINT-it në Kosovë, dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, me të cilët ka diskutuar për këtë çështje.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

Sipas Kurtit, hapja e urës i ndihmon të gjithë banorët e asaj zone, pa dallim etnie.

“I ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”.

Ai ka përmendur që para shumë vjetësh, zyrtarë të Bashkimit Evropian i janë referuar hapjes së urës në tërësi për qarkullim si “simbol i normalizimit”.

“Kundër askujt, por për të gjithë”, ka thënë mes tjerash Kurti, kur e ka përmendur nevojën e hapjes së urës.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, por Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim”.

Related posts

Aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës hyn në agjendën e Komitetit të Ministrave, të hënën diskutohet për Kosovën

admin

Shkurorëzimet në Kosovë, Prizreni prinë me 10 për qind të rasteve

admin

Të ftosh në Islam, është art.

admin