RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Nga Gaza në Kiev, mjeku palestinez që jeton mes dy luftërave

nga-gaza-ne-kiev,-mjeku-palestinez-qe-jeton-mes-dy-lufterave

“Gjysma e zemrës dhe mendjes sime janë këtu, dhe gjysma tjetër është atje. Je bashkë me familjen dëshmitar i luftës dhe shkatërrimit në Palestinë, dhe nga ana tjetër sheh luftën e shkatërrimin me sytë e tu këtu në Ukrainë”, ka thënë Alya Shabaanovich Gali, mjek i njohur në Ukrainë, palestinez me origjinë nga Rripi i rrethuar i Gazës, nga ku u largua në vitin 1992

Në një Ukrainë të shkatërruar nga lufta ai është Alya Shabaanovich Gali, një mjek i njohur me një varg pacientësh që presin të kontrollohen. Për familjen e tij, mijëra kilometra larg në Rripin e rrethuar të Gazës, ai është Alaa Shabaan Abu Ghali, njeriu që u largua.

Për 30 vjetët e fundit, këto identitete rrallë herë kishin arsye për t’u bashkuar: Gali u largua mes gjendjes jostabile në Gaza, u vendos në shtëpinë e tij të re në Kiev, mori një emër tjetër që t’i përshtatej më mirë gjuhës vendase dhe u martua me një ukrainase. Përmes thirrjeve telefonike ai mbajti lidhjet me nënën, motrat e vëllezërit që jetojnë në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Por, jetët e tyre u zhvilluan paralelisht.

Në shkurt të vitit 2022, pushtimi i Rusisë në Ukrainë e hodhi jetën e Galit në kaos, me sulme ajrore e raketa. Gati 20 muaj pas, lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit e ka kthyer vendlindjen e tij në një ferr, duke shkatërruar gjithçka kishte nga familja e tij.

Të dyja janë konflikte të dhunshme që kanë prishur ekuilibrat e fuqive rajonale dhe globale, por ato mund të duken si botë të ndara ndërsa bëhen edhe më të vrazhda. Ukraina ka kritikuar aleatët që u vunë në mbrojtje të Izraelit ndërsa trupat e saj çalonin në vijën e frontit. Palestinezët kanë dënuar standardet e dyfishta në mbështetjen ndërkombëtare. Në secilin prej vendeve, bombardimet e shfrenuara dhe luftimet e rënda kanë vrarë mijëra dhe kanë rrafshuar qytete të tëra.

Në jetën e Galit luftërat janë pikë bashkimi. Një muaj më parë, nipi i tij u vra në një sulm të Izraelit teksa po kërkonte ushqim. Disa javë më vonë, një raketë ruse ra në klinikën private ku ai kishte punuar shumicën e jetës së tij. Kolegët dhe pacientët i vdiqën para këmbëve.

“Unë isha në një luftë atje, dhe tani jam në një luftë këtu”, ka thënë Gali, 48 vjeç, që qëndron brenda gërmadhave të qendrës mjekësore teksa punonjësit largojnë xhamat e rrënojat. “Gjysma e zemrës dhe mendjes sime janë këtu, dhe gjysma tjetër është atje. Je bashkë me familjen dëshmitar i luftës dhe shkatërrimit në Palestinë, dhe nga ana tjetër sheh luftën e shkatërrimin me sytë e tu këtu në Ukrainë”.

Nga Gaza në Kiev

Është një thënie arabe për ta përshkruar fëmijën më të vogël të familjes – “rrushi i fundit i hardhisë”. Nëna e Galit do të thoshte se i fundit është më i ëmbli; më i vogli i të dhjetëve, ai ishte i preferuari i saj.

Kur Gali ishte 9 vjeç, babai i vdiq. Kishin vështirësi me paratë, por Gali ishte i shkëlqyeshëm në shkollë dhe ëndërronte të bëhej mjek – me specializim në fertilitet, pasi pa të afërm të tij që kishin vështirësi të kishin fëmijë.

Në vitin 1987, kryengritja e parë palestineze shpërtheu në Gaza dhe në Bregun Perëndimor. Gali iu bashkua krahut të të rinjve të Lëvizjes Fatah, një parti përkrahëse e ideologjisë nacionaliste, shumë kohë përpara se grupi i Hamasit t’i lëshonte rrënjët. Një nga një, shokët e tij u arrestuan dhe u morën në pyetje; disa u dërguan në burg, të tjerë morën armët.

Gali kishte një zgjedhje: Të qëndronte dhe të rrezikonte të njëjtin fat, ose të largohej.

Ishte një lajm i mirë: një mundësi për të studiuar mjekësi në Almaty, Kazakistan. Gali i dha lamtumirën familjes së tij, duke mos e ditur nëse do t’i shihte përsëri.

Ai udhëtoi për në Moskë, në pritje për ta kapur trenin. Por, ai mësoi se Almaty nuk ishte më opsion. Në vend të tij, ishte një vend në Kiev.

Kështu, një Gali i ri arriti në Ukrainë në vitin 1992, pak pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Ishte sikur të lije një kaos për një tjetër, ka thënë ai: “Vendi ishte në gjendje kaosi, pa rend e ligj dhe kushte shumë të vështira jetese”.

Shumë moshatarë të tij u larguan. Gali qëndroi, duke u regjistruar në shkollën e mjekësisë.

Jetë e re, emër i ri

Në gjuhën ukrainase, nuk ka bashkëtingëllore ekuivalente me bashkëtingëlloret glotale tejet të vështira të arabishtes. Kështu që, në Kiev Alaa u bë Alya. Ai mori një emër të mesit që rrjedh nga emri i babait, duke i shtuar prapashtesën e zakonshme – Shabaanovich.

Ndërsa mësonte rusisht – e folur nga shumica e ukrainasve që jetuan nën Bashkimin Sovjetik – Gali kishte vështirësi të kryente punët. Fqinjët e ndihmonin. Përmes tyre, ai e takoi bashkëshorten. Ato do të bënin tre fëmijë.

Ai e kreu shkollën e mjekësisë, duke u bërë gjinekolog i specializuar në fertilitet. Ditët e para të karrierës së tij ishin të gjata, me dhjetëra pacientë që kontrollonte. Pastaj ai arriti në qendrën mjekësore Adonis, ku lulëzoi karriera e tij.

Kur Gali shkon me veturë në punë, duke dëgjuar këngë në arabisht, ai kalon sheshin e Kievit, aty ku protestat antiqeveritare krijuan situatën për pushtimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Atë vit kishte një luftë edhe në Gaza, kujton ai.

Gali lexon tekstet nga shenjat në rrugët e Ukrainës që thonë: “Ti vazhdon të na shkatërrosh, o botë”.

Luftërat përputhen

Më 8 korrik, Gali ishte në punë, por mendjen e kishte në Gaza.

Një javë më parë, një i afërm e kishte kontaktuar – mbesa e Galit 12 vjeçe ishte vrarë ndërsa tanket e Izraelit kishin avancuar buzë kampit Mawasi për palestinezët e zhvendosur, në veriperëndim të Rafahut. Ashtu sikur mijëra qytetarë të Gazës, edhe familja e tij kishte shkuar aty në këmbë pasi Izraeli e kishte përcaktuar si zonë humanitare.

Gali tashmë ishte në mërzi. Një nip, Fathi, ishte vrarë një muaj më parë. Gali e kishte parë vetë, ka thënë ai, në televizion – trupi i pajetë i nipit të tij në ekran, titujt që dilnin në arabisht. Ai ia përshkroi imazhin dhe rrobat e Fathit një të afërmi i cili ia konfirmoi se ishte ai.

Vdekjet e tyre peshuan rëndë mbi Galin. Për nëntë muaj, kishte jetuar në frikë për familjen e tij, në frikë se një mesazh do t’i vinte që thoshte se ata ishin vrarë të gjithë.

Në qendrën mjekësore atë ditë, sulme ajrore u dëgjuan tërë mëngjesin. Para se të shkonte te pacienti i radhës, ai shkëmbeu disa fjalë me drejtoreshën e qendrës. Ajo sapo kishte ardhur nga Spitali i Fëmijëve “Okhmadyt”, i goditur disa orë përpara nga një raketë – një pamje e tmerrshme, objekti më i madh pediatrik i Ukrainës në gërmadha, i kishte thënë ajo. Ai i tregoi për vdekjet e mbesës dhe nipit të tij, për mërzinë e tij.

Jo shumë kohë pas kësaj, bota e Galit u bë edhe më e errët.

Një raketë ruse u hodh drejt qendrës, duke shkaktuar një shpërthim që shkatërroi katin e tretë dhe të katërt.

Gali punonte në katin e katërt. Në renë e dendur nga rrënojat, ai kërkonte figurat që shiheshin si hije të mbuluara me gjak. Ai pa një paciente dhe duke përdorur dritën e telefonit e nxori nga rrënojat e çatisë që ishte shembur, teksa kolegët dhe të tjerët vdiqën përreth tij – gjithsej nëntë të vrarë.
Ai e çoi pacienten në zyrën e tij të priste për ekipin e shpëtimit. Në mes të trupave nëpër dysheme, ai e gjeti një prej kolegëve, Viktor Bragutsa, me gjakderdhje të madhe. Gali nuk mundi ta kthente në jetë.

Një dhomë ku mbaheshin dokumentet e pacientëve ishte kthyer në mbeturina, të dhënat e tyre me dekada të tëra ishin në tym.

Ai ndjeu dhimbje që i dukej si “deja vu”.

Për muaj, kishte parë imazhe të luftës në Gaza. Dukej sikur ata disi kishin hyrë në jetën e tij në Ukrainë.

“Asgjë nuk është e shenjtë. Vrasja e mjekëve, vrasja e fëmijëve, vrasja e civilëve – kjo është pamja me të cilën po përballemi”, ka thënë ai.

Vetëm dhimbje

Dy javë më vonë, Gali qëndroi në të njëjtin vend, duke parë muret e bombarduara ndërsa punëtorët shkelnin nëpër rrënoja.
“Çfarë mund të ndiej? Dhimbje. Asgjë tjetër”.

Zyra e drejtoreshës së qendrës është shkatërruar. Ashtu edhe hapësira e recepsionit. Makineritë e ultrazërit dhe tavolinat e operimit janë shpërndarë gjithandej.

Ai kishte qëndruar në Ukrainë, nuk e largoi as familjen – ai gjeti ngushëllim në zyrën e tij, duke ndihmuar pacientët. Dhe prapë, ka thënë ai, do të qëndrojë aty.

Në Gaza ai e di se nuk ka vend të sigurt për familjen e tij.

Komunikimi nuk është i lehtë me ndërprerjet në rrjet që ndodhin. Shkojnë javë pa asnjë lajm, deri kur ndonjë nip ose mbesë gjen sinjal për t’i thënë se janë gjallë.

“Pa marrë parasysh sa e vështirë dhe e pamundur është situata, fjalët e tyre janë gjithmonë të mbushura me të qeshura, durim dhe falënderim për Zotin”, ka thënë Gali. “Unë jam këtu, duke e ndier barrën”.

Përktheu: Emine Shehu/koha.net

Related posts

Vuçiq thotë se pati një bisedë korrekte me komandantin e KFOR-it

rezart morina

Stano: Për situatën në veri do të reagojmë nëse është e nevojshme

rezart morina

Xhaferi- Shentop: RMV dhe Turqia lidhen me miqësi dhe partneritet tradicional

admin