Kreu i gardës presidenciale të Nigerit, gjenerali Abdourahmane Tchiani, është shfaqur në televizionin kombëtar, ku ka shpallur veten lider të ri të vendit pas grusht shtetit, transmeton Anadolu.
Gjenerali Tchiani, në një deklaratë për televizionin shtetëror, tha se ai u bë kreu i administratës së tranzicionit pasi presidenti i Nigerit, Mohamed Bazoum u rrëzua nga një grusht shteti ushtarak.
“Për shkak të përkeqësimit të problemeve të sigurisë, ushtarët morën pushtetin”, tha Tchiani. Një njësi ushtarake e udhëhequr nga Tchiani mori pushtetin në Niger përmes një grusht shteti më 26 korrik.
I njohur si “i besuari” i presidentit të mëparshëm Mahamadou Issoufou, Tchiani kishte shërbyer si Komandant i Gardës Presidenciale për gati 10 vjet.
Tchiani arriti të ruajë vendin e tij pasi Issoufou i la postin Bazoum-it në zgjedhjet e vitit 2021.