Qeveria shqiptare i hap rrugë ngritjes së industrisë ushtarake. Prodhimi, tregtimi dhe zhvillimi i armëve, tashmë mund të jetë ekskluzivisht edhe i Shqipërisë.
Me ligjin që është botuar në fletoren zyrtare, kompanitë që do të investojnë në këtë industri, do të përjashtohen nga një sërë taksash.
Norma e tatimit mbi të ardhurat korporative për 10 vitet e para të fillimit të aktivitetit do të jetë 0%. Lehtësi të tjera fiskale përfshijnë përjashtimin nga taksat doganore për mallrat, të cilat shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit ushtarak, ndërsa tjetër lehtësi është edhe shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 10% për furnizimin ose shitjet e armatimit ushtarak.
Përveç lehtësive tatimore, ligji parashikon edhe ato administrative, të tilla si procedura të përshpejtuara për licencimin dhe regjistrimin e veprimtarisë. Për këto kompani do të ketë mbështetje për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës ndihmëse, si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion, të cilat janë thelbësore për funksionimin e aktivitetit të subjektit, si dhe qasje në fonde dhe programe mbështetëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e teknologjive të mbrojtjes.
Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes është autoriteti përgjegjës për marrjen e masave administrative në rast se konstatohen shkelje nga kompanitë e prodhimit të armëve. Për të gjitha kompanitë që përfshihen në testimin e armatimit ushtarak ose aktivitetet e specializuara pa miratim nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, parashikohen gjoba nga 5 milionë deri në 50 milionë lekë. /Telegrafi/
The post Nis prodhimi i armëve shqiptare, kompanitë përjashtohen nga taksat first appeared on Radio Televizioni Iliria.