Inspektorati i Policisë së Kosovës ka nisur një hetim në rastin e 11-vjeçares së dhunuar dhe trafikuar në Prishtinë, për të parë nëse ka pasur ndonjë neglizhencë eventuale nga zyrtarët policorë.
Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, i ka thënë të hënën KOHËS, se me anë të këtij hetimi do të verifikohen veprimet e zyrtarëve që janë marrë me këtë rast.
“Kemi filluar një hetim paraprak që të shohim dhe verifikojmë se cilat kanë qenë veprimet ose neglizhenca eventuale e zyrtarëve policor në lidhje me dy rastet e raportuara për vajzën e mitur”, ka thënë ai.
11-vjeçarja që dyshohet se u dhunua nga pesë persona më 27 gusht në Prishtinë, dyshohet se edhe në muajin qershor ka qenë viktimë e dhunimit dhe trafikimit nga gjashtë persona të tjerë.
Që të 11 të dyshuarit janë arrestuar nga Policia dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Rasti i vajzës ka shkaktuar reagime të mëdha, ku në Prishtinë, Tiranë e Shkup janë mbajtur protesta, gjithashtu ka nxitur dorëheqje dhe shkarkime nga institucione të ndryshme.