Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurve Gj.P. dhe P.I. për sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe pengim të tyre në kryerje të detyrës.
Sipas kërkesës së prokurorisë, të dyshuarit fillimisht kishin sulmuar një zyrtar policor, që kishte vërejtur se njëri nga të dyshuarit kishte dëmtuar pasqyrën e një motoçiklete të parkuar.
Prokuroria ka thënë se në momentin kur polici tentoi t’i ndalte ata, të dyshuarit e kapën për fytin dhe e përplasën përtokë dhe gjatë tërë kohës tentuan t’ia marrin armën zyrtare nga brezi. Si pasojë zyrtarit policor iu thye gishti i dorës.
Më pas thuhet se të pandehurit me forcë tentuan të pengojnë zyrtarët tjerë policorë në kryerje të detyrës, duke rezistuar arrestimin.
“Me këto veprime të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale, “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe ”Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë. Të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 10 gusht 2024 dhe do të zgjasë deri më 09 shtator 2024”, thuhet nga Gjykata Themelore e Gjakovës.