Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë njoftuar të mërkurën se kanë vendosur ta njohin Palestinën si shtet të pavarur.
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store në konferencën për media sot [e mërkurë] tha se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”.
Gahr Store tregoi se shteti skandinav do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez nga 28 maji.
“Duke e njohur Palestinën si shtet, Norvegjia e mbështet planin për paqe arabe”, tha ai.
Ndërsa, Kryeministri irlandez, Simon Harris ka njoftuar se shteti i tij do ta njohë Palestinën si shtet.
“Sot, Irlanda, Norvegjia e Spanja po njoftojmë se e njohim shtetin e Palestinës”, ka thënë Harris në një konferencë për media.
“Të gjithë ne, tani do të ndërmarrim çfarëdo hapa të nevojshëm kombëtarë që të vëmë në fuqi këto vendime. Kam besim se edhe më shumë shtete do të na bashkohen në këtë hap të rëndësishëm në javët e ardhshme”, ka shtuar ai.
Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë.
Ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli dhe gëzim nga palestinezët. Izraeli i tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia dhe Irlanda.
Këto tre vende njoftuan njëra pas tjetrës përmes konferencave për media për vendimin e tyre për Palestinën.
The post Norvegjia, Spanja dhe Irlanda shpallin njohjen e Palestinës first appeared on Radio Televizioni Iliria.