Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, të enjten ka thënë se objektet e strukturave paralele në këtë komunë i janë dhënë për shfrytëzim për 99 vjet Ministrisë së Brendshme të Kosovës.
Ugljanin ka bërë të ditur se Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut mbajti sot seancë të jashtëzakonshme ku kanë votuar dy pika të rendit të ditës, gjegjësisht kornizën buxhetore për vitin 2025 dhe kalimin e pronës komunale për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“U votua dhënia në përdorim e truallit komunal për Ministrinë e Brendshme për 99 vjet, me 12 vota pro dhe një kundër. Parcelat dhe ndërtesat janë ato që përdoreshin si zyra e Ministrisë së Arsimit, Kulturës, Sportit dhe Shkencës, Fondi i Sigurimeve Pensionale të Serbisë për Kosovën dhe zjarrfikësit. Bëhet fjalë për katër parcela, që janë pronë e komunës”, ka thënë ai për “KosovoOnline”.
Edhe pse nuk u bë e ditur për çfarë qëllimi po jepen këto objekte, Ugljanin ka theksuar se tashmë dihet se ato do të shërbejnë për nevojat e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Jashtme.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se Prishtina po vazhdon “okupimin policor” të veriut.
“Punëtorët, të cilët e kaluan jetën e tyre duke ofruar shërbime të barabarta për të gjithë, u detyruan të largohen nga vendet e tyre të punës, kështu që policia e Kurtit tani do të hyjë brenda. Njëkohësisht këtë vendim të kundërligjshëm e kanë marrë asamblistët e paligjshëm të Kurtit në komunë për të cilët nuk ka votuar asnjë serb. Vendimi është i drejtuar drejtpërdrejt kundër popullit serb në veri të Kosovës dhe paraqet lëvizje të re me të cilën Albin Kurti shkel Marrëveshjen e Brukselit, duke pasur parasysh se policia monoetnike e Kurtit nuk ka çfarë të pretendojë në veri të Kosovës”, ka thënë Petkoviq.
Petkoviq shton se “i gjithë ky proces po zhvillohet para syve të ndërkombëtarëve”, të cilët i akuzoi për heshtje.
Më 30 gusht Policia e Kosovës pati mbyllur zyrat e institucioneve të Serbisë në veri që funksiononin ilegalisht: si ajo e Qarkut të Mitrovicës dhe të komunave paralele të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin-Potokut e Leposaviqit, përfshirë zyrën e Fondit të Sigurimeve Pensionale të Serbisë për Kosovën – disa prej të cilave po i jepen në shfrytëzim institucioneve të Kosovës.
Më herët u mbyllën edhe dega të postave dhe bankave serbe në veri.