Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se Republika Demokratike e Kongos po përballet me shpërthimin e saj “më të keq” të kolerës që nga viti 2017, me 50 mijë aste të dyshuara dhe 470 vdekje të regjistruara në vitin 2023, raporton Anadolu.
“Rreziku është veçanërisht i lartë në zonat e personave të zhvendosur brenda vendit ku kushtet e jetesës janë të vështira, me kushte të papërshtatshme të furnizimit me ujë dhe shërbimeve higjienike, që favorizojnë përhapjen e kolerës”, tha Boureima Hama Sambo, përfaqësues i OBSH-së në RD të Kongos, në një konferencë për media të OKB-së në Gjenevë, në të cilën ai mori pjesë virtualisht.
Sambo theksoi se RD e Kongos po lufton gjithashtu me epideminë më të madhe të fruthit të regjistruar që nga viti 2019, me deri tani afro 28.000 raste dhe 750 vdekje në 2024.
Kombinimi i fruthit dhe kequshqyerjes ka një ndikim serioz shëndetësor te fëmijët nën moshën pesë vjeç dhe mungesa e qasjes në vaksinat dhe shërbimet e vaksinimit e përkeqëson situatën, tha ai, duke shtuar se antraksi dhe murtaja kanë prekur gjithashtu komunitetet në lindje të RD të Kongos në muajt e fundit.
“Përveç kësaj, shpërthimi ende në zhvillim i ‘mpox’ ka qenë në rritje në gjithë vendin gjatë vitit të kaluar”, tha ai, theksuar se rreth 4.000 raste të dyshuara dhe 271 vdekje janë regjistruar deri më tani në 2024.
Këto shifra përfaqësojnë një shkallë më të lartë të vdekshmërisë së rasteve sesa ato që u regjistruan gjatë shpërthimit global.
Ai tha se mbi dy të tretat e rasteve raportohen te fëmijët dhe se fëmijët e vegjël janë veçanërisht të rrezikuar nga vdekja.
Përfaqësuesi paralajmëroi gjithashtu se ekziston rreziku i zgjerimit gjeografik në provincat e paprekura më parë, me pothuajse të gjitha provincat, përfshirë Kinshasan, tani që raportojnë raste.
“Kjo gjithashtu paraqet një kërcënim për zgjerim në vendet fqinje dhe më gjerë”, tha Sambo.