Gjermania rriti kontributet e saj në Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së (WFP) në mbi 1.7 miliardë euro (1.8 miliardë dollarë), në 2022.
“Gjermania është një forcë nxitëse në luftën ndërkombëtare kundër urisë”, tha Martin Frick, kreu i zyrave të WFP në Berlin dhe Bruksel.
Roli i Gjermanisë është i dukshëm, jo vetëm në mbështetjen e përpjekjeve të WFP-së në mbarë botën, por edhe përmes iniciativave që e kanë trajtuar luftën kundër urisë si një çështje sigurie.
“Viti i kaluar tregoi se sa ngushtë janë të ndërthurura siguria ushqimore, siguria energjetike, konflikti dhe kriza klimatike”, tha Frick.
“Uria është njëkohësisht një simptomë dhe një shkak, dhe është një levë që duhet ta tërheqim nëse duam të dalim nga kjo spirale krize”, tha ai.
Ndër të tjera, fondet e siguruara nga Gjermania i dhanë mundësi WFP-së të transportonte dhe të shpërndante grurin ukrainas pasi rifilluan eksportet nga portet e Detit të Zi. Grante të tjera kanë përfituar banorët në Afrikën Lindore, Sahel, Jemen, Afganistan dhe Pakistan.
Në vitin 2021, fondet gjermane në agjencinë e Kombeve të Bashkuara arritën në 1.2 miliardë euro.
Sipas WFP, kriza klimatike, rritja e çmimeve të ushqimeve, konflikti dhe ndikimi i luftës së Rusisë në Ukrainë e kanë çuar numrin e njerëzve të uritur akute në 349 milionë.
Gjermania është donatori i dytë më i madh në WFP pas SHBA-së.