Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres po komunikon me Rusinë në një përpjekje për të bërë lëshime, që do të çonin në rifillimin e një marrëveshjeje të grurit që shihet si thelbësore për trajtimin e pasigurisë globale të ushqimit, dhe frenimin e çmimeve të grurit.
Në korrik, Moska ndaloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshje, e cila krijoi korridore në Detin e Zi për eksportin e dhjetëra milionë tonë grurë dhe plehra kimike nga Ukraina, pavarësisht bllokadës detare ruse.
Moska nuk ishte e kënaqur me paktin, dhe tha se donte që pengesat ndaj eksporteve të produkteve ushqimore dhe plehrave kimike të Rusisë të hiqen në këmbim të një bashkëpunimi të mëtejshëm.
Moska po kërkon gjithashtu një lehtësim të sanksioneve perëndimore ndaj pagesave, logjistikës dhe sigurimit të transportit.
Në një dokument, Guterres i sugjeroi ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov që Moska mund të rilidhej me sistemin ndërkombëtar të pagesave SWIFT me krijimin e një filiali të Bankës Bujqësore Ruse për pagesa të caktuara.
“Kjo mund të bëjë të mundur eksportin e disa plehrave kimike ruse dhe produkteve bujqësore brenda 30 ditëve”, thuhet në dokument.
Në dokumentin e 28 gushtit, OKB-ja bëri tre propozime për të lehtësuar eksportet ruse, të cilat lidheshin me sigurimin e transportit detar, shkrirjen e aseteve të ngrira të kompanive të plehrave kimike në Evropë, dhe lejimin e anijeve ruse në portet evropiane.
Në këmbim, shpresohet që Rusia të pranojë të rinovojë paktin e grurit, i njohur zyrtarisht si “Iniciativa e Grurit të Detit të Zi”.
Sipas OKB-së, plehrat kimike janë gjithashtu thelbësore për parandalimin e një krize globale të urisë.
Çmimet në tregun global thuhet se kanë qenë 250% më të larta se para fillimit të luftës në Ukrainë. /atsh