RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

OKB-ja alarmon për rrezikun nga një konflikt i ri mes Kosovës dhe Serbisë

okb-ja-alarmon-per-rrezikun-nga-nje-konflikt-i-ri-mes-kosoves-dhe-serbise

Manipulimi i ngjarjeve nga e kaluara përmes rritjes së diskursit nacionalist mund ta ringjallë një konflikt të ri mes Kosovës e Serbisë, është konstatimi që ka nxjerrë këtë muaj një raportues special i Kombeve të Bashkuara, pas vizitave në Kosovë e Serbi. Veç mungesës së bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të të zhdukurve nga lufta e fundit, raporti thekson edhe mungesën e ndjekjes penale të kriminelëve të luftës dhe glorifikimin e të dënuarve duke i vendosur në pozita të larta udhëheqëse.

Një raportues i Kombeve të Bashkuara (OKB) ka alarmuar për rrezikun e ndezjes së një konflikti të ri për shkak të diskursit në Kosovë e Serbi. Pas vizitave në të dyja vendet, raportuesi special, Fabian Salvioli, ka vlerësuar se veç diskursit, që nuk dallon nga ai i pasluftës, ka edhe mungesë bashkëpunimi mes dy vendeve në shkëmbimin e informacioneve për personat e zhdukur nga lufta e fundit.

“Raportuesi special është i alarmuar me përdorimin e vazhdueshëm në Kosovë dhe Serbi të narracioneve etnocentrike, nacionaliste, të njëanshme ose jo të plota për konfliktin, në politikë, media, kulturë dhe arsim. Manipulimi i ngjarjeve të së kaluarës dhe përforcimi i njëkohshëm i ndjenjave nacionaliste dhe etnike për arsye politike, edhe nëse duket se siguron përfitim politik jetëshkurtër për mbështetësit dhe autorët e tij, nuk është vetëm i paligjshëm dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, por edhe i afatshkurtër”, shkruan në raport. “Këto pamje, të pahijshme dhe mbi të gjitha aktet e papërgjegjësisë publike mund të çojnë në përsëritjen e dhunës nga e kaluara”.

Gjetjet janë për periudhën prej 22 nëntorit deri më 2 dhjetor 2022, kur raportuesi i OKB-së ka vizituar Kosovën dhe Serbinë.

Për raportin do të diskutohet në kuadër të sesioneve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që mbahen nga 11 shtatori deri më 6 tetor të këtij viti.

Në dokumentin që është hartuar për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është kërkuar prej autoriteteve në Serbi dhe Kosovë që menjëherë të ndalojnë nxitjen e ndjenjave nacionaliste dhe përçarëse, nëpërmjet veprimeve të tyre.

Mohimi i krimeve dhe glorifikimi i kriminelëve

Glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i mizorive të luftës, po ashtu është evidentuar si praktikë që po vazhdon, në të dyja vendet.

“Raportuesi special mori raporte për deklarata shqetësuese lidhur me konfliktin e shtyrë nga zyrtarë publikë dhe politikanë, duke përfshirë mohimin e krimeve të luftës dhe për kritikat ndaj zyrtarëve që ishin përpjekur t’i nderonin viktimat e grupeve të tjera etnike. Ai mori gjithashtu raporte shqetësuese për kriminelë të dënuar të luftës që mbanin poste publike, duke përfshirë edhe pozita të larta”, thuhet në dokument.

Autoriteteve të Kosovës u përshkruhet mungesë vullneti për t’i ndjekur dhe sanksionuar penalisht rastet e krimeve të luftës, ku dyshohet të jenë përfshirë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ngurrimi i dëshmitarëve për të ofruar dëshmi për shkak të frikës nga hakmarrja, në thelb pengon përparimin dhe thekson nevojën për një program efektiv dhe funksional për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili aktualisht mungon në Kosovë. Autoritetet raportuan një rritje të ndarjes buxhetore për vitin 2021 për të përmirësuar kapacitetin institucional për ndjekjen penale të krimeve të luftës (me parashikimin për katër prokurorë shtesë, gjashtë ndihmës dhe dy përkthyes). Megjithatë, Departamenti i Krimeve të Luftës thuhet se ende operon me kapacitete paraekzistuese”, potencon raporti.

Pavarësisht kërkesës së tij, raportuesi special e ka evidentuar se nuk ka mundur të takohet me prokurorin e Krimeve të Luftës.

Sa u përket Dhomave të Specializuara në Hagë, në të cilat po gjykohen ish-udhëheqës të UÇK-së, raportuesi special ka vënë në dukje kornizën e vendosur për trajtimin e krimeve, “megjithatë, ai është i shqetësuar për shkallën e ulët të ndjekjes penale dhe bashkëpunimin e stagnuar gjyqësor”.

“Kosova nuk i ka ndarë informacionet për të zhdukurit”

Mungesa e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbetet pengesa kryesore në sqarimin e rasteve nga lufta e fundit, është brenga që është shprehur në raport.

“Raportet tregojnë se autoritetet në Kosovë nuk kanë ndarë informacionet e rëndësishme dhe dokumentacionin përkatës për personat e zhdukur që janë në dispozicion të tyre. Problemi i keqidentifikimit të mbetjeve mortore, hezitimi i dëshmitarëve për të dhënë informacion për shkak të kërcënimeve, frikësimit, dhe se mund ta implikojnë veten e tyre, paraqesin sfida shtesë”, theksohet në këtë dokument të OKB-së.

Në të përmenden edhe informacionet që i ka vënë në dispozicion Qeveria e Kosovës për ndërtimin e memorialit për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë për periudhën 1998 dhe 1999, dhe atë për komisionin për dokumentimin e dëmeve të shkaktuara në trashëgiminë kulturore.

“Shtrirja e këtyre nismave, për sa i përket kohës, duket se përjashton viktimat e vrara pas vitit 1999, si dhe monumentet fetare ortodokse të sulmuara në vitin 2004. Përveç kësaj, një memorial kushtuar viktimave të masakrës së prillit 1999, kryesisht civilë shqiptarë të Kosovës me prejardhje nga fetë katolike dhe myslimane, është ngritur në fshatin Mejë”, thotë raporti.

Te pjesa e rekomandimeve, prej Kosovës është kërkuar alokimi i burimeve të mjaftueshme për ta dinamizuar kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur, si dhe rivendosje urgjente e bashkëpunimit me autoritetet përkatëse në Serbi, veçanërisht me Grupin e Punës për të Zhdukurit.

Kjo temë trajtohet prej vitesh në kuadër të dialogut të Brukselit, derisa në Marrëveshjen e 27 shkurtit palët u pajtuan për miratimin e një deklarate të përbashkët rreth kësaj çështjeje. Raportuesi ka kërkuar prej Bashkimit Evropian që ta konsiderojë krijimin e mekanizmave gjithëpërfshirës për t’u siguruar se do të arrihet përparim afatgjatë në drejtësinë tranzicionale.

Related posts

Koreja e Jugut, ish-drejtori i Samsung akuzohet për vjedhje të sekreteve tregtare

admin

Rritja e rasteve: Ministria paralajmëron masa të reja shtrënguese

admin

Konjufca: Asociacioni vetëm sipas Kushtetutës, nuk pres marrëveshje të shpejt me Serbinë

admin