Kombet e Bashkuara dhe Pakistani kanë lëshuar një apel të martën për 160 milionë dollarë fonde emergjente për të ndihmuar miliona të prekur nga përmbytjet që lanë të vdekur më shumë se 1.160 njerëz që nga mesi i qershorit, shkroi Associated Press të martën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se përmbytjet e Pakistanit, ishin një sinjal për botën për të rritur veprimet kundër ndryshimit të klimës.
“Le të ndalojmë së ecuri në gjumë drejt shkatërrimit të planetit tonë nga ndryshimet klimatike”, tha ai në një videomesazh teksa bëri thirrje për financim. “Sot, është Pakistani. Nesër, mund të jetë vendi juaj”, ka shtuar ai.
Më shumë se 33 milionë njerëz, ose një në shtatë pakistanezë, janë prekur nga përmbytjet katastrofike, të cilat kanë shkatërruar një vend që tashmë po përpiqet të ringjallë ekonominë.
Më shumë se një milion shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar në dy muajt e fundit, duke zhvendosur miliona njerëz.
Rreth gjysmë milioni prej të zhvendosurve jetojnë në kampe të organizuara, ndërsa të tjerëve u është dashur të gjejnë strehë.
Kryeministri, Shahbaz Sharif, tha se përmbytjet shkatërruan keq të korrat dhe qeveria e tij po shqyrtonte importin e grurit për të shmangur çdo mungesë ushqimi.
Sharif deklaroi se çdo vonesë e paqëllimshme nga komuniteti ndërkombëtar në ndihmën e viktimave “do të jetë shkatërruese për popullin e Pakistanit”.
Ai premtoi se fondet nga komuniteti ndërkombëtar do të shpenzohen në mënyrë transparente dhe se do të sigurojë që e gjithë ndihma të arrijë tek ata që kanë nevojë.
Të martën, qeveria amerikane tha se do të sigurojë 30 milionë dollarë ndihmë për të ndihmuar viktimat e përmbytjes. Sipas një deklarate të lëshuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, kjo ndihmë do t’i jepet Pakistanit përmes USAID-it.
Sipas vlerësimeve fillestare të qeverisë, shkatërrimi shkaktoi 10 miliardë dollarë dëme në ekonomi.
Sipas Gutterres, apeli i OKB-së për 160 milionë dollarë do të sigurojë ushqim, ujë, kanalizime, shëndetësi dhe forma të tjera ndihme për rreth 5.2 milionë njerëz. /koha