Tri partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës.
Para se të dilnin, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike Arben Gashi ka thënë se sjellja e papërgjegjshme e ministrit të Financave duke provuar me çdo kusht ta marrë buxhetin e komunave, është e papranueshme.
Sipas tij, paaftësia e këtij ministri sjell në një situatë që LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë votim, në seancë në komisione, nuk do të votojnë marrëveshje ndërkombëtare dhe do ta shqyrtojnë edhe votimin në kryesi.
Ndërkaq shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Kuvendi është bllokuar.
“Ose ka qasje strategjike qe të bllokohet. LDK-ja kur e ka propozuar amendamentin në buxhet ka qenë që të hyrat vetanake të mos preken. Është duke u luajtur një lojë që do ta na sjellë në situatë që ne si opozitë ta bojkotojmë punën në Kuvend. Ne si GP sot e lëshojmë seancën”, ka thënë ai.