Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti, me liderët e partive opozitare.
Edhe pse në takim të pranishëm si fillim ishin i pari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas pak minutave ai u largua nga ky takim.
Pas largimit, Haradinaj zgjodhi të mos deklarohet për media ndërsa tani ka theksuar se nga takimi është larguar për shkak se kryeministri Kurti “mbante ligjërata e nuk sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre”.
Por në takim të pranishëm deri në fund ishin Abdixhiku dhe Krasniqi.
Pas këtij takimi, Krasniqi tha se nuk është i sigurt nëse kryeministri Kurti dhe Qeveria në përgjithësi e dinë se në çfarë drejtimi janë duke shkuar.
“Kemi hyrë në një fazë që s’ka epilog të qartë ndërsa potencialin për përshkallëzim e ka të madh. Më vie mirë që ka reflektuar dhe ka thirrur këtë takim të sotëm ku patëm diskutim rreth asaj se si është situata, si ka ardhur deri këtu por isha më i interesuar të dëgjojë për planet e ardhshme për të menaxhuar këtë situatë. S’mund të them se dola me siguri të madhe se Qeverie e di se në çfarë drejtime është duke shkuar apo çfarë veprime duhet të ndërmarrë, sepse në fund të fundit qëllimi i të gjithëve duhet të jetë mbarëvajtja e rendit publik dhe mbajtja e paqes, por me këtë rast e shpreha qëndrimin e PDK-së, se në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme.Veprime që ruajnë sovranitetin në çdo centimetër të Kosovës dhe sa i përket vazhdimësisë së ushtrimit të sovraniteti në katër komunat veriore, por edhe të rendit publik dhe ofrimit të shërbimeve bazike Qeveria duhet të ndërmarrë veprimet që i takojnë dhe për këtë do ta ketë përkrahjen e PDK-së, qoftë përmes veprimeve tona në Kuvend apo në çfarëdo mundësie tjetër që kemi”,tha Krasniqi.
Por Krasniqi tha se PDK do të ofrojë përkrahje për veprimet të cilat e ruajnë krejt rezultatin e sukseseve të arrituar në të gjitha vitet pas pavarësisë, e që kanë rezultuar me integrimin e komunitetit serb në të gjitha institucionet e Kosovës si dhe në ushtrimin e sovranitetit juridik e politik në Kosovë.
Kurse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se nuk kanë dëgjuar një plan konkret ng Kurti për dalje nga situata në veri të Kosovës dhe as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët e vendit.
“Besojmë se koordinimi me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe institucionet aleate si në Uashington por edhe Bruksel është zgjidhja e vetme adekuate për situatën.Qeveria nuk duhet të bjerë pre e kurtheve të destabilizimit që burojnë në Beograd por që duhet ngushtë me aleatët që të sigurojë paqen dhe stabilitetin në territorin e vetë. Qeveria do ta ketë mbështetjen e LDK-së për aq sa koordinohet me aleatët”,tha Abdixhiku.
Abdixhiku ka theksuar se nuk duhet të bëhet zgjedhje mes ligjshmërisë në vend dhe aleatëve.
“Duhet të zgjidhet edhe ligjshmëria edhe aleatët. Historia na ka treguar se ecja me aleatët i sjell Kosovës avancim. Është akt patriotit të kërkohet koordinimi me ShBA-në. Nuk ka koordinim të tillë nga qeveria derisa nuk ka konfirmim nga aleatët që kjo po ndodh”.
Ky takim i Kurtit me liderët e opozitës erdhi pas zhvillimeve të njëpasnjëshme për tri ditë radhazi në veri të Kosovës.
Lista Serbe vendosi që të largohet nga çdo institucion drejtues i vendit, e pas tyre njësoj vepruan edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe.
Këto veprime të tyre erdhën pas mospajtimeve që shfaqën për marrëveshjen e targave apo lëshimin e fletëqortimeve ndaj serbëve nga Policia e Kosovës për moskonvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.
Derisa Kurti bën thirrje që serbët të vazhdojnë të qëndrojnë në institucionet e Kosovës dhe të mos ndikohen nga Beogradi, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja vazhdimisht është bërë thirrje për formimin e menjëhershëm të Asociacionit.