Presidentja, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim drejtoreshën e Korpusit për Paqe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Carol Spahn.
Pas takimit, e para e vendit tha se Korpusi i Paqes është shembull i ndritshëm i aleancës dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.
“Korpusi i paqes është vërtet personifikimi më i mirë i partneritetit të shkëlqyer mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Një raport i tillë ndërtohet, mirëmbahet dhe zhvillohet pikërisht si rezultat i lidhjes së fortë ndërmjet njerëzve dhe popujve tanë. Jam thellësisht mirënjohëse për këtë kontribut të jashtëzakonshëm të vullnetarëve në drejtim të kultivimit dhe zhvillimit të aftësive të ndryshme tek qytetarët dhe fëmijët tanë nga arti, kultura, mbrojtja e ambientit dhe rëndësia e mbijetesës, respektit dhe paqes që sjellin këto vlera që ne i ndajmë…Prania e vullnetarëve të Korpusit të Paqes është shembull i ndritshëm i aleancës dhe thellësisë së partneritetit mes Kosovës dhe ShBA-së”, tha ajo.
Ndërkaq, drejtoresha e Korpusit të Paqes të ShBA-së Carol Spahn, tha se prej vitit 2014 më shumë se 220 vullnetarë të Korpusit të Paqes kanë ardhur në Kosovë për të ndërtuar ura të mirëkuptimit dhe shtyrë përpara paqen në Kosovë.
Përmes këtij korpusi ajo tha se janë mbështetur të rinjtë dhe gratë e Kosovës për të përfituar shkathtësitë për punësim.
“Prej vitit 2014 më shumë se 220 vullnetarë të Korpusit të Paqes kanë ardhur këtu për të ndërtuar ura të mirëkuptimit dhe për të shtyrë përpara misionin e Korpusit të Paqes për promovimin e paqes dhe miqësisë në botë. Prandaj populli i Kosovës ka mirëpritur vullnetarët tanë në shkolla, klasa, shtëpi dhe komunitetet e tyre. Ne jemi shumë mirënjohës. Së bashku vullnetarët e Korpusit të Paqes dhe partnerët e tyre i kanë zgjeruar njohuritë e gjuhës angleze dhe kanë ndihmuar në shtytjen përpara të projekteve që udhëhiqen nga komunitetet. Po ashtu kanë mbështetur të rinjtë dhe gratë e Kosovës për të përfituar shkathtësitë për punësim”, përfundoi ajo.