Para takimit të Këshillit të Sigurimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë një video e shoqëruar me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyhrete Tahirin, të cilat i ka quajtur heroina.
Osmani ka thënë se bashkë me to, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit do të përsërisin kërkesën për drejtësi.
Ajo po ashtu është shprehur se do të sigurohen që ta dëshmojnë se si Kosova vërtetë është skorie suksesi përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificës së jashtëzakonshme.
“Përshëndetje për të gjithë nga New Yorku, këtu mbrapa e kemi ndërtesën e Kombeve të Bashkuara. Jam bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyhrete Tahirin, me katër heroina të cilat janë simbol i forcën, guximit, mbijetesës dhe sukseseve të Republikës sonë. Do ta përfaqësojmë së bashku Kosovën tonë, të gjithë qytetarët tanë. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit edhe pse është një ndër mbledhjet e rregullta që mbahen vazhdimisht për Kosovën, ne do të sigurohemi që të dëgjohet zëri i gjithë qytetarëve tanë, do të sigurohemi që të dëshmojmë se si Kosova vërtetë është skorie suksesi përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificës së jashtëzakonshme. Do të sigurohemi që të tregojmë edhe për rreziqet e vazhdueshme me të cilat po përballemi për shkak të veprimeve destabilizuese të Serbisë, do ta përsërisim kërkesën tonë të vazhdueshme për drejtësi”, ka thënë Osmani në adresimin e saj në Facebook.